Kryeministri i Shqipërisë

Rama para vizitës së Blinkenit: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, çelës strategjik për sigurinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur çelës strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqenien e bashkësisë së popujve në zemër të Evropës, normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Deklaratën e ka bërë në Facebook, në prag të vizitës së sekretarit amerikan, Antony Blinken.

Rama ka thënë se Blinkeni do ta gjejë Shqipërinë të angazhuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit, kur të zhvillojë një vizitë në këtë vend, javën e ardhshme.

“Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në këtë rajon. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithë fqinjëve të rajonit dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e progres”, ka shkruar ai.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt.

Kjo vizitë ka për synim që të riafirmojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

Rama e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit amerikan në vendin e tij, në një periudhë, sipas tij, të trazuar për botën.

Rama e ka përmendur, mes tjerash, edhe reformën në drejtësi në Shqipëri, duke thënë se vendi i tij është falënderues për “partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë”.

BONUS VIDEO: Kurti për raportimet për tentim-atentat: Ka shumë kërcënime nga strukturat të Serbisë