Rama lavdëron veten për menaxhim të pandemisë, thotë se në Kosovë “gjyshërit ende janë brenda”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalluar veten nga liderët të tjerë të rajonit sa i përket menaxhimit të pandemisë me koronavirus. Duke thënë se s’janë të gjithë politikanët të njëjtë, Rama ka kërkuar votën për një tjetër mandat duke u lavdëruar për procesin e vaksinimit kundër COVID-19 duke u mburrur se ka ecur më shpejt se vendet tjera në rajon, përfshirë Kosovën.

“Përse të votojnë Partinë Socialiste? Le të shikojnë gjyshërit e tyre që buzëqeshin prapë, prindërit që janë të sigurt për jetën. Kjo mjafton që në fund të fundit, s’janë të gjithë njësoj sepse po të ishin të gjithë njësoj do të ishim edhe ne si Kosova, do të ishim si Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e do të kishim gjyshërit ende brenda”, ka thënë ai në “Vizion Plus”.

Të enjten, Rama përmes Facebookut njoftoi se në shtetin e tij janë kryer 300 mijë vaksinime kundër COVID-19. Shqipëria tashmë është furnizuar me shumicën e llojeve të vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa ka vaksinuar edhe rreth 500 mjekë nga Kosova. Ajo ka ofruar vaksinimin edhe për mësimdhënësit nga Kosova, por Qeveria e Kosovës nuk pranoi për shkak se ishte ofruar vaksina kineze.

Në anën tjetër, deri tash në Kosovë janë vaksinuar rreth 12 mijë qytetarë. Vendi është furnizuar vetëm me 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas” nëpërmjet programit COVAX dhe ende s’ka zyrtarizuar marrëveshje për doza të tjera. Në fund të prillit apo fillim të majit pritet ardhja e kontingjentit të ri të vaksinave nëpërmjet programit të njëjtë.

Rama në këtë intervistë po ashtu u shpreh se Shqipëria do të lërë kufijtë të hapur për të gjithë shqiptarët që duan ta vizitojnë.