Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mendon se opozita e ka marrë peng Kuvendin vetëm për interesa të saj personale.
Të paktën kështu deklaroi ai gjatë një takimi me anëtarësinë e Partisë Socialiste në Dibër.
Nga aty, Rama u shpreh se ata “nuk shqetësohen për asnjë hall tuajin”.
“Kanë shkuar në parlament me votën e njerëzve dhe e marrin peng për interesat e tyre. Por nuk dëmtohen ata, nuk i gjen asgjë. Në fund kanë shumë më tepër sesa çfarë kanë shumica dërrmuese e atyre që i kanë votuar”, theksoi numri një i Qeverisë.
Sipas tij, selia rozë pavarësisht të metave që mund të ketë është forca politike që sjell zhvillim të vendit krahasuar me forcat e tjera politike.
Për të, “partitë e tjera vetëm sa e kanë degraduar vendin” dhe për këtë mori si shembull gjendjen e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.
“Pa diskutim që kemi të metat tona dhe jemi larg së qeni të pagabueshëm, por mund të thuhet se jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë, diku më pak – ndërkohë që forcat e tjera sjellin rrëmujë, konfuzion dhe një status-quo që e degradon realitetin ku qeverisin në mënyrë të vazhdueshme”.
Në fjalën e tij, Rama tha se PS në të gjithë territorin e Shqipërisë ka hyrë në një proces të rienergjizimit.
“Së pari, synon një hapje të re të PS-së për të mundësuar përfshirjen e shumë njerëzve të të gjitha moshave dhe padiskutim burra, djem, gra, vajza, që kanë dëshirë t’i bashkohen PS-së”.
Kryesocialisti e cilësoi degën në Dibër si një nga më të shëndetshmet sa i takon shifrës së anëtarësimeve të reja.
“Sot mund të thuhet me plot gojën se organizata e Dibrës është nga më të shëndetshmet që kemi në Shqipëri. Dhe besoj që edhe shifrat e anëtarësimeve të reja të cilat janë mbresëlënëse janë tregues i këtij fakti”.
VIDEO BONUS: Alarmon Lladrovci: Nuk ka ujë për shuarjen e zjarrit në fabrikë, cisternat po mbushën në Drenas







