Rama kritika BE-së: Më nuk e prish gjumin për këtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa komentoi moscaktimin e një date për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha se më nuk do e prish gjumin për këtë çështje.

Ai në një konferencë së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, vend që po ashtu nuk mori datën për fillimin e negociatave, tha se tash e gjitha varet nga BE-ja.

Të hënën, Shqipëria e Maqedonia prisnin të merrnin datën për nisje të bisedimeve, por ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare vendosën ndryshe. U raportua se Bullgaria vuri veto për shkak të çështjeve të pazgjidhura me Maqedoninë e Veriut, sa i përket gjuhës dhe historisë.

“S’ka të bëjë me ne, ka të bëjë me BE-në , por nuk jam i shqetësuar dhe nuk po humbas gjumin se kam gjëra tjera më të rëndësishme për të mbetur pa gjumë, ne e kemi bërë punën tonë , kjo është e gjitha dhe ne do vazhdojmë ta bëjmë, kur të jenë gati ata le të na e thonë. Sfida për ne është të ndërtojmë shtet evropian, sepse kjo është ajo çfarë kërkojnë fëmijët tanë dhe çfarë meritojnë vendet tona. Unë nuk do thosha qëndrimi bullgar, çdo vend i BE-së mund të ketë momentet e veta të shkëputjes nga pjesa e tjetër e familjes, kjo lidhet me Maqedoninë dhe Bullgarinë kaq. Ata thonë se na duan, por s’janë gati për martesë. Do t’i presim kur të jenë gati”, u shpreh Rama në konferencën e përbashkët me Zaevin.

Kritik me BE-në u tregua edhe Zaevi, që Ramën e quajti vëlla.

“Sot Evropa ka një problem , ideja vizionare ka një problem, BE është problemi, nuk arrin të gjejë dhe të sigurojë integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor, është një problem i shkaktuar nga ata, por ne nuk jemi vetëm, jemi këtu me mikun dhe vëllain tim, Ramën. Me shqiptarët ndajmë vlera të njëjta, jo politika ndarje, bashkë më ne janë në këtë rrugë Serbia dhe Mali i Zi”, tha Zaev.