Edi Rama

Rama kërkon një qëndrim të dytë të BE-së, Tajani rithekson deklaratën e 19 shtatorit për Kosovën e Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, në një konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, ka thënë se Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë aktet e dhunës në veri të Kosovës.

Tajani ka thënë se ka folur personalisht me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq ku ka kërkuar një zgjidhje paqeje. Ai gjithashtu ka thënë se ka folur edhe me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, rreth mundësisë së një përforcimi të KFOR-it për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja.

“Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim. I pohova se Italia është e gatshme dhe fola me ministrin Crosetto që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të dispozitivit KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja”, ka thënë Tajani.

Tajani ka thënë se zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës dhe se duhet gjetur zgjidhje përmes diplomacisë.