Rama: Do të fillojmë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në Elbasan, ka numëruar disa marrëveshje që do të nënshkruhen përfshirë edhe memorandumin e bashkëpunimit për të filluar studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Është një tjetër prioritet i rëndësishëm, pas nisjes së punës për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës nga ana jonë ne nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi siç patëm dakordësuar  për të filluar studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë është një ëndërr e kahershme, por sot ne jemi besoj me të drejtë të lehtësuar që hedhim një hap konkret”, ka thënë Rama.

Rama tutje u shpreh se të diplomuarit nga dy shtetet do të kenë mundësi të bëjnë verifikim të diplomave në mënyrë elektronike.

“Të diplomuarit nga universitetet tona do të kenë mundësi të njohjes reciproke të diplomave, verifikimi do të bëhet në mënyrë elektronike dhe do të hiqet burokracia e panevojshme”, u shpreh ai.