Shqipëria

Rama dhe Berisha në ‘luftë audience’, teksa mbyllet 2023

Prej kohësh, replikat ia kanë lënë vetëm distancës dhe kohën e njëjtë televizive nuk e kanë ndarë, aq më pak të ketë pasur debate publike.

Por, mbyllja e 2023-shit do të jetë një “luftë” e hapur audience mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ku për qëllime tërësisht të ndryshme, ata do të përkojnë në hapësirat mediatike ekzaktësisht në mesditën e 30 dhjetorit.

Për Berishën, kjo ishte një kronikë e lajmëruar, pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ta caktojë seancën vendimtare ndaj tij, në orën 12:00 të së shtunës.

Ish-kryeministri në fakt po pret të mësojë çfarë mase sigurie do të vendoset ndaj tij, kur nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK, është kërkuar ajo e arrestit të shtëpisë me mbikëqyrje policore.

Berisha – siç tashmë seancat e mëparshme – nuk pritet të jetë pjesë e gjyqit. Por sigurisht që ai e ka gati një komunikim publik në atë orë dhe në mos do të dalë vetë, do të përflitet gjerësisht për atë çfarë do të vendosë GJKKO-ja kundrejt tij.

Paralelisht, në një lëvizje jo të pritshme, kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e 29 dhjetorit se në mesditën e 30 dhjetorit, ai do të ishte në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarët, për të marrë pyetjet e tyre në margjinat e vitit të ri.

Nuk është lënë të kuptohet nëse kjo konferencë ka qenë e programuar, apo e vendosur aty për aty.

Por, është një tregues se në çastin kulmor për Berishën, Rama sërish ka dalë të kërkojë një “garë” të fundit politike për 2023-shin.

Do të arrijë ai ti marrë sytë e vëmendjen e publikut përballë një ngjarjeje që mund të jetë historike, si ajo e arrestimit të një ish-kryeministri?

Vështirë të thuhet, por duket se do ta provojë.

Teksa, Berisha, betejën e ka frontale dhe të hapur si me Ramën, ashtu edhe me gjykatën dhe SPAK-un, ndonëse vendimin në seancën e fundit po e priste në shtëpi.

Pikërisht aty ku duket se gjithçka mund të mbarojë politikisht për Berishën, mundet fare mirë të jetë edhe zanafilla e një fillimi të ri.

VIDEO BONUS: Kosovës i shtohen edhe 325 ushtarë të rinj