Kryetari i Komunës së Prishtinë, Përparim Rama, nëpërmjet një shkrimi të gjatë ka elaboruar konceptin e Arkitektit të Kryeqytetit, një institucion ky i cili, sipas tij, bën diferencën dhe ndihmon në krijimin e një narrative të re për kryeqytetin.

Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, sipas Ramës, duke harmonizuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, luan një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine për të gjithë.

“Asnjë qyteti dhe veçanërisht një kryeqyteti, sado i madh apo i vogël të jetë, s’i mungojnë asnjëherë rrëfimet dykohëshe: për të tashmen dhe të shkuarën. Si jemi? Dhe, si ishim?”, ka shkruar Rama.

Komuna e Prishtinë, vlerëson Rama, punon përditë që prishtinasit të ndjehen krenarë për qytetin, që është i tyre jo thjesht “ngaqë jetojnë në të, por sepse ata janë bashkëkrijues të një rrëfimi të ri për Prishtinën”.

“Është një rrugë e vështirë dhe me plot sfida, kjo që kemi nisur para gati njëmijë ditësh. Mirëpo, jemi të pamëdyshje në këtë ecje tonën përpara, së bashku me ju, ngaqë jemi të bindur se, vetëm kështu, qyteti të cilin e duam, do të bëhet qyteti cilin do ta duan dhe qyteti i duhur për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë”.

Rama në editorial ka shpalosur edhe vizionin e tij për një kryeqytet pa komunikacion të ngarkuar.

“Do Ecim bashkë, drejt qytetit në të cilën 200 mijë prishtinas do të mund të arrijnë në sheshet e qytetit, pa asnjë pengesë. Bulevardi qendror i qytetit, që prej sheshit të Flamurit deri tek qyteti i vjetër, që do t’ua kthejë qytetin qytetarëve, do t’i lidhë të gjitha lagjet e qytetit”.

Për ta bërë të mundur këtë, sipas tij, po punohet për mbikalimet në lagjen Arbëria dhe rrugën “Agim Ramadani”; nënkalimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe në udhëkryqin e sheshit “Xhorxh Bush”; pasarelën e Hotelit Grand dhe riorganizimin e tërësishëm të trafikut në qytet.

“Këmbësorët do të jenë të parët, por as shoferët nuk do të presin më me orë në trafik”, shton ai.

Ai ka përmendur edhe lansimin e platformës digjitale “e-leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale.

“Në epokën digjitale nuk ka arsye të humben orë të tëra duke pritur në radhë. Ecja jonë digjitale nënkupton që, për të gjitha shërbimet të cilat tani merren në komunë, do të krijohen mundësi të realizimit online”.

“Edhe kur ato janë shumë më teknike, siç kemi bërë me platformën “e-Leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale dhe të cilës ia kemi bashkëngjitur edhe nënshkrimin digjital përmes “e-Nënshkrimi”, si dhe mundësinë e përcjelljes së krejt procesit duke përdorur “e-Përcjellja”. Po presim të na e japin lejen, që t’ua japim juve “e-Lejen”. Kemi digjitalizuar ndërtesa të rëndësisë së veçantë historike dhe po e digjitalizojmë krejt qytetin. Që ta keni dhe ta përdorni ju – të gjithë”, ka shtuar ai.

Rama ka njoftuar ndër të tjera se Komuna e Prishtinës po punon për organizimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare.

“Është duke u punuar fort që, për këtë dhe të ardhmen e sportit prishtinas, të kryhet Masterplani i Fshatit Olimpik dhe kështu Prishtina të kthehet në referencë ballkanike të sportit. Por, jo vetëm kaq. Të kulturës dhe artit, përmes projektit të Tulltores. Dhe, në një destinacion turistik, përmes ndërhyrjeve restauruese në pjesën e vjetër të qytetit”.

Asnjëra nga këto, sipas tij, nuk janë ndërmarrje të lehta, e të cilat nuk do të mund të viheshin në jetë pa ndihmën e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit

“Njëmijë e një sfida e pengesa duhen kaluar. Por, politika është shërbim ndaj qytetarit. Dhe që të mund t’u shërbejmë në të sotmen, duke menduar për të ardhmen, ne nuk mund të jemi të vetëm. Për këtë kemi marrë dhe marrim ndihmë profesionale nga ata që janë shumë dhe që ju i njihni për një – si arkitekti i kryeqytetit, dhe që mblidhen të gjithë nën emërtimin Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.

“Qindra njerëz punojnë në të gjitha e për të gjitha projektet që i përmenda më lart. Për një rrëfim të ri për qytetin. Për Prishtinën e së ardhmes. Për ju!”, ka shtuar ai.