Rama akuzon Haxhiun e Sveçlën për “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Pasuri të Konfiskuar

Rrahim Rama, i shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), ka thënë se ministrat në detyrë, Albulena Haxhiu e Drejtësisë dhe Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme, kanë bërë “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Pasuri të Konfiskuar.

Sipas tij, ministrat kanë bërë vizita të pa paralajmëruara dhe pa u takuar me zyrtarët e AAPKS-së.

Ai është shprehur se Prokuroria Speciale duhet të hetojë këto vizita.

“Më 19 mars kur ishte gjendje pandemie kur s’guxonim as të dilnim në rrugë, Albulena Haxhiu dhe këshilltarja Nazlie Bala dhe shefi i kabinetit Blerim Sallahi shkojnë diku kah ora 3-4 në depo pa paralajmërim dhe pa praninë e stafit tim. Ajo e ka marrë me 3 shkurt mandatin. Gati dy muaj nuk ka parë të nevojshme të më thirre a shkojmë ta vizitojmë. Këtu i fotografon Nazlie Bala. Këto i ka në Facebook, Albulena. Ajo bën një lojë. Në mbrëmje shkruan në Facebook se vizitova depon dhe u informova për gjendjen. Nga kush? Nga veturat? Nga polici? Kur e kam thirrur policin pse nuk është regjistruar kjo vizitë ai i rrudhi krahët. Ftoj prokurorinë speciale të hetojë sepse këtu mund të ketë implikime. Dyshoj në qëllimin e tyre. Deri tash s’ka ndodh një vizitë e tillë kur ka sende shumë sensitive”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në këtë depo ka prova që ishin marrë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Për vizitën tjetër, Rama ka thënë se ka ndodhur në kohën kur vendi kërkonte deputetin Behgjet Pacolli.

“A lejohet ministrja e Drejtësisë të shkojë në mënyrë ilegale. Vizita e dytë ishte edhe më e rëndë. Ishte koha kur e kërkonin Pacollin. Bënim shaka se po e kërkonin Pacollin. Çfarë logjike kishte më 30 prill Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë e Albulena me shumë vetë staf. Tregojnë se ka pasur staf për të përgatitur terrenin se po vjen ministri”, ka shtuar Rama.

Rama ka përmendur edhe një laborator të konfiskuar, që ka thënë se ishte i familjarëve të Balës. Ka thënë se ishte konfiskuar për shkak të drogës.

“Si është e mundur një këshilltare, Nazlie Bala, kur i është marrë laboratori… ne kemi ekzekutuar vendimin e gjykatës. Unë s’kam konfiskuar, kam zbatuar urdhrin e gjykatës.

Ne në vitin e kaluar kemi konfiskuar një laborator me vendim gjykate, që është e familjarëve të Nazlie Balës. Si është e mundur? Ajo s’duhet të punojë në Ministri të Drejtësisë, sepse është konflikt. Atëherë përse rrezikon në mënyrë ilegale që të shohë vetura. Për të parë vetura mund të shkojë në sallonet e veturave. Kemi konfiskuar laboratorin e drogës. Ne kemi konfiskuar laboratorët. Të gjithë që administrojnë ilegalisht ne i konfiskojmë. Është sikur dhomë e dëshmive sepse i shfrytëzojmë për t’i demonstruar në gjykatë dhe nuk guxojmë të prekim asgjë. Ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Një nga laboratorët më modernë”, ka thënë Rama.