Rama: Aeroporti i Vlorës do ndërtohet nga kompania e Behgjet Pacollit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kompania fituese që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës është kompania e Behgjet Pacollit. Rama u shpreh se duke qenë kompani me flamur shqiptar krijohet mundësi për llogaridhënie më të lehtë. Ai tha se me shpalljen e kompanisë fituese ndihet i çliruar për shkak të premtimit që i kishte bërë elektoratit të Vlorës.

“Pandemia ka goditur kudo por një nga sektorët më të goditur është ai i aviacionit. Vendet janë impenjuar të fusin sasi parash për të mos lënë atë industri gjigande të falimentojë. U la një kohë. U mendua që pas verës do të rifillonte procesi. Por kompanitë europiane patën pengesë objektive dhe duke qenë në paketat mbështetëse të subvencionuara nga qeveritë u ndaluan të përdorin paratë për investime të jashtme. Sot marr frymë i lehtësuar. Për fat të mirë dhe për fat të keq jam deputet në Vlorë.

Për fatin e mirë nuk po flas ndërsa fati i keq është durimi i vlonjatëve që të shënjestrojnë si gënjeshtar, mashtrues që nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Kur ti e di se cila është e vërteta fjalët dhe shpjegimet nuk bëjnë punë të madhe. Jam i lumtur që baza e këtij kosnorciumi është një kompani e famshme që mban flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit.

Prej kohësh më ankohet si nuk m’u dha mundësia të bëj diçka për Shqipërinë. Më vjen mirë të kemi një kompani shqiptare që mund të vëmë para përgjegjësisë dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompani të huaja që mund të jenë kaq të interesuara por në momente të caktuara bëhen shurdhe për kompaninë që mund të kesh”, tha Rama