Rama: 76 mijë amerikanë vizituan Shqipërinë këtë vit

Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të turistëve të huaj në krahasim me vitin e kaluar, sipas Kryeministrit Edi Rama.

Duke krahasuar shifrat, kreu i qeverisë deklaron në Facebook, se numri i turistëve amerikanë është dyfishuar gjatë 2022-t, e po ashtu numri i turistëve kanadezë.

“76 mijë vizitorë amerikanë kanë ardhur në Shqipëri në këta shtatë muaj, 50 për qind më shumë se një vit më parë. E po ashtu rritje e ndjeshme e turistëve nga Kanadaja prej nga kanë ardhur 13 mijë vizitorë krahasuar me 5 mijë të së njëjtës periudhë vjet”, shkruan Rama në Facebook.

Më herët, Rama ka publikuar shifrat dhe për turistët gjermanë, e francezë, ku sipas tij numri i tyre është dyfishuar këtë sezon.

Përveç turizmit në bregdet, turistët e huaj preferojnë dhe atë alternativ, duke shtuar si destinacione të preferuara, Komanin dhe Lumin e Shalës.