Rama: 12366 qytetarë në strukturë emergjence pas tërmetit, vetëm 22 në spital

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e tetë të qeverisë që po zhvillon deklaroi se “Situata paraqitet më pozitive në raport me nevojat imediate, përmirësohet cdo ditë natyrshëm. Sot kemi 22 persona që vijojnë që të marrin shërbim në spital, nga të cilat 16 në Tiranë, 3 në Durrës dhe 3 jashtë vendit. Gjendja e atyre që po kurohen në Shqipëri është stabël dhe gatishmëria për të spostuar këdo është e plotë. Ministria ka siguruar që në moment që mund të duhet një transferim jashtë kjo të ndodhë pa asnjë vonesë.

Përsa i përket strehimit sot kemi kapërcyer numrin e 4 mijë personave në hotele, 254 janë në palestra dhe shifra e përafërt e atyre që janë në çadra, por këtu vijon puna për të garantuar çadra dimërore me standarde.

Kemi 6323 persona, 395 persona në qendra shëndetësore dhe 783 persona në Kosovë. Besa dhe Ogerta do të kërkoja të shkonin në kampin në Kosovë për të bërë një vizitë dhe për t’u ofruar që të kthehen dhe të akomodohen në hotele. Ka edhe një grup 436 persona të regjistruar në strehtë të ndryshme. 

Sot në total janë 12366 persona në këtë strukturë emergjence” tha ai