Rakiq mohon sulmin ndaj KFOR-it, akuzon mediat shqiptare

Derisa KFOR ka konfirmuar se ka pasur të shtëna në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it, derisa ka kritikuar mediat shqiptare se po përdorin luftën hibride gjoja se ‘për ta tëhequr misionin në synimet e tyre’.

“Sipas informacioneve të KFOR-it dhe Shtabit të Krizave, do të mohoja pretendimet e mediave shqiptare se në Zubin Potok ka ndodhur një sulm ndaj KFOR-it. Ky informacion është vetëm një tjetër në serinë që Prishtina, si pjesë e luftës hibride, po e përdor për të ngrohur më tej situatën dhe për ta tërhequr KFOR-in në synimet e tyre”, ka thënë Rakiq për një televizion serb. 

Nga ana tjetër, Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok.

KFOR në një përgjigje ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar.

“Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it. 

Ndërsa të dielën është raportuar për të shtëna në Zubin Potok edhe nga disa medie serbe.