Rakiq e Jevtiq takojnë Kosnettin, thonë se do të jenë partnerë konstruktivë në Qeverinë e re

Zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit, dialogu i ardhshëm dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë ishin temat e bisedës midis ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, zëvendëskryeministrit të Qeverisë Goran Rakiq dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Rakiq e Jevtiq thonë se do të jenë partnerë konstruktivë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Kosnett uroi ministrat për pozitat e tyre dhe theksoi mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Ambasadës së SHBA. Rakiq dhe Jevtiq theksuan se, do të jenë partnerë konstruktivë në qeverinë e re të Kosovës në krijimin e mekanizmave institucional, për të luftuar korrupsionin, forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Stabiliteti është diçka që të gjithë kemi nevojë në këtë moment dhe ne do të jemi të përkushtuar për atë qëllim”, theksuan ministrat.