Raka për rastin e lojtarëve të FC Prishtina: Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë gabimi teknik

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë që nuk përjashtohet mundësia e ndonjë gabimi teknik, për rastin e klubit të futbollit Prishtina, pasi tetë futbollistë i rezultuan pozitivë për koronavirus në testet në Gjibraltar, pak ditë pasi në Kosovë kishin rezultuar negativë.

“Janë testuar prap futbollistët e Prishtinës dhe bashkë me rezultatet do të ketë edhe një koment zyrtar nga IKSHPK-ja”.

“Ata janë testuar sot në mëngjes dhe detajet do t’i merrni vesh në komunikatën zyrtare. Profesionalisht ne punëtorët shëndetësorë, e dimë që inkubacioni është 2 deri në14 ditë. Kjo do të thotë, momenti prej depërtimit të virusit në trupin tënd, deri te shfaqja e simptomave të para mund të shkojë më së shkurti 2 ditë dhe më së gjati 14 ditë”.

Raka në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që nuk ka qenë i habitshëm rezultati, ku futbollistët në Gjilbraltar dolën pozitivë ndërsa në Kosovë rezultuan negativë.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë gabimi teknik, si në Kosovë ashtu edhe në Gjibraltar. Por, nëse një pjesë e këtyre lojtarëve kanë qenë të sëmurë, kanë pasë kontakt dhe kanë qenë në kamping bashkë, atëherë ka pasë mundësi që dikush ta infektojë bashkëlojtarin e vet”.

Raka ka theksuar se duhet të rritet edhe vetdijësimi te ekipet kosovare gjatë kohës së pandemisë, sidomos sipas tij, në rastet kur kanë për të udhëtuar në Europë.

“Duhet të kenë kujdes më të madh dhe të mos frekuentojnë vende ku nuk respektohen masat”.