molise

Rajoni italian me pak banorë ofron 25 mijë euro për të jetuar në të

Një rajon me numër të vogël të banorëve në pjesën jugore të Italisë po ua ofron 700 euro në muaj për tri vjet njerëzve që shkojnë për të jetuar në fshatrat e tij.

Sidoqoftë, ky përfitim i ka dy kushte. Për t’u vendosur në një fshat të caktuar për të jetuar, vendbanimi duhet t’i ketë më pak se dy mijë banorë dhe njerëzit e ardhur duhet të zotohen se do ta hapin një biznes.

“Nëse do të ofronim financim, do të ishte një gjest tjetër bamirësie”, tha Donato Toma, kryetari i Molise-s. “Deshëm të bëjmë më shumë. Duam që njerëzit të banojnë këtu. Ata mund ta hapin çfarëdo biznesi, furrë, restorant, çfarëdo biznesi. Kjo është një mënyrë e nxitjes së jetesës në qytezat tona dhe rritjes së popullsisë”, shtoi ai.

Toma gjithashtu tha se secila qytezë me më pak se dy mijë banorë do t’i marrë 10 mijë euro në muaj, me të cilat mund të investojnë në infrastrukturë dhe t’i promovojnë aktivitetet kulturore.

“Nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e popullsisë. Njerëzit kanë nevojë edhe për infrastrukturë dhe arsye për të qëndruar, përndryshe do të përfundojmë në situatën që e kishim para disa vjetësh, kur e nisëm këtë plan”, tha ai.

Sipas Institutit Kombëtar italian për Statistika, Molise, e cila i ka 305 mijë banorë, është në mesin e rajoneve që ka humbur më së shumti banorë në vitet e fundit. Vetëm nga viti 2014, këtë rajon e kanë braktisur nëntë mijë italianë.

loading…