Terroristi serb

“Radoiçiqi kriminel; ka disa lidhje financiare”: Si u ashpërsua qëndrimi i ShBA-së kundër Serbisë për Banjskën?

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë folur në disa raste për sulmin në Banjksë të Zveçanit, për të cilin sulm kërkohet ndërkombëtarisht nga Kosova Milan Radoiçiqi. ShBA-ja, përmes ambasadorit Jeff Hovenier dhe emisarit special Gabriel Escobar, duket se kanë ashpërsuar gjuhën publike kundrejt Serbisë për Banjskën.

Gjatë një interviste për “Radio Evropa e Lirë”, Escobar për herë të parë dukej se po e fajësonte deri në një masë Serbinë për financimin e grupit të Radoiçiqit. I pyetur nga REL nësë “A sheh SHBA-ja ndonjë lidhje mes këtij sulmi me Serbinë si shtet?”, Escobar deklaroi se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës.” – theksoi dje Escobar.

Në intervistë, Escobar e ka bërë të qartë nevojën e Serbisë për llogaridhënie dhe përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi.” – tha Escobar, teksa shtoi se nuk mund të flas tash për masat ndaj Serbisë.

Megjithatë, Escobar theksoi se Radoiçiqi duhet të arrestohet.

“Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të… Radoiçiq është personi që e ka organizuar sulmin e 24 shtatorit. Ai është person i arratisur, i kërkuar ndërkombëtarisht, është nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të në hapësirën politike.” – tha ai.

Në të njëjtën linjë gjuhësore të ashpërsuar është edhe ambasadori Hovenier. Pasi në publik rrodhi një fotografi në një restorant mes Radojiçiqit me Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në ShBA, ambasadori Hovenier e përsërit se Radoiçiqi duhet të mbahet përgjegjësi për sulmin në Banjskë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Z. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional…Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës” – deklaroi Hovenier për Express.

Madje, Hovenier përdori një shprehje të qartë kur foli për Radoiçiqin. Hovenier e quajti Radoiçiqin një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.

“Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Hovenier.

Sjellim ndër mend që ditë më parë, gazeta serbe “Nova” publikoi një hulumtim mbi lidhje biznesore të kompanive të Radoiçiqit me shtetin e Serbisë. Në shkrim theksohej se dy ditë pas sulmit të armatosur në Banjskë, kompanitë e Radoiçiqit morën tenderë nga shteti serb në vlerë prej 8.5 milionë euro.

VIDEO BONUS: