Video

Raci: Kurti nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Analisti politik, Gazmir Raci ka folur rreth draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe sipas tij ky draft-statut nuk është pranuar as nga Kosova, as nga palët tjera.

“E para, unë nuk kam parë që draft-statuti është pranuar prej palëve, e as prej Kosovës. Sikurse të ishte pranuar draft-statuti ai do të ishte publik, siç u bë publike menjëherë plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit kur u pranua”, është shprehur Raci në Rubikon të Klan Kosova.

Ai përmendi edhe obligimet që i ka qeveria e Kosovës në qoftë se një draft si ky miratohet.

“E dimë mirë se çfarë obligimesh ka Kosova në momentin që e pranon draft-statutin, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, ka dy obligime: qeveria që duhet me i nxjerr, vendimmarrjen ligjore dhe draft-statutin duhet me e miratu qeveria dhe duhet të ia prezantojë Gjykatës Kushtetuese për vlerësim. Por në këtë fazë ne nuk kemi dhe nuk ka pranim të një dokumenti të tillë. Nëse do të kishte pajtim për draft-statutin, logjikisht drafti do të duhej të publikohej”, theksoi Raci.