Qytetarja nga Peja u kafshua nga qentë endacakë, komuna obligohet t’ia kompensojë dëmin mbi 3 mijë euro

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses F.S, me të cilën obligohet Komuna e Pejës që t’ia kompensojë dëmin në shumën 3 mijë e 200 euro, për shkak të kafshimit nga qentë endacakë në qytetin e Pejës.

Aktgjykimi është marrë nga gjyqtarja e çështjes Merita Baloku, e cila ia aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses F.S, duke e detyruar të paditurën Komunën e Pejës, t’ia paguajë shumat e specifikuara e atë në përgjithësi prej 3 mijë e 200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Baloku gjithashtu ka detyruar të paditurën që paditëses në emër të shpenzimeve procedurale t’ia paguajë shumën prej 1 mijë e 353 euro, ndërsa i refuzoi kërkesën përtej shumës së aprovuar si të pabazuar.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pas vlerësimit të të gjitha provave me kujdes dhe ndërgjegje të gjitha veç e veç, e të gjitha në kuptim të nenit 8 të LPK-së, si dhe në bazë të rezultatit të tërësishëm të procedurës së zhvilluar në çështjen kontestimore, gjykata kishte vërtetuar gjendjen faktike.

Tutje thuhet se paditësen më 30 maj 2020, në orën 08:30, në afërsi të shkollës fillore “Dardania”, në Pejë, derisa ishte duke ecur në rrugë dy qenë endacakë e sulmojnë dhe e kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, duke pësuar kështu lëndime trupore.

Këtë gjendje, thuhet se gjykata e kishte vërtetuar përmes raportit informues të stacionit policor të sektorit të hetimeve.

Nga tërë procedura e zhvilluar dhe bazuar në provat e administruara, gjykata ishte mbështetur në këtë gjendje të vërtetuar faktike, e sidomos tek raporti informues i stacionit policor dhe fotot që gjenden në shkresat e lëndës, andaj e vërtetoi bazën e kërkesësëpadisë së paditëses.

Ndërsa, sipas aktgjykimit, për vendosjen e lartësisë së kërkesëpadisë, thuhet se kishte ndikim ekspertiza e ekspertëve nga lëmia e mjekësisë, dr. Nazmi Morina, ortoped dhe dr. Mit’hat Bala, neuropsikiatër, të cilët pas ekzaminimit të paditëses kishin dhënë mendimin e tyre lidhur me lëndimet e pësuar të paditëses.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Sipas aktgjykimit, ekspertët i kishin vlerësuar si lëndime të lehta trupore, e që nga kjo gjykata kishte vendosur dhe i aprovoi shumat si në dispozitivin e aktgjykimit.

Tutje, në aktgjykim thuhet se gjatë vendosjes gjykata kishte pasur parasysh edhe kundërshtimet e palës së paditur Komuna e Pejës, gjatë shqyrtimit kryesor dhe në fjalën përfundimtare, mirëpo të njëjtat nuk kishin qenë me ndikim për të vendosur ndryshe.

Po ashtu, thuhet se nga fakti se e paditura Komuna e Pejës, nuk e kishte argumentuar faktin se bazuar në ligjin nr.2004/21, Ligji për Veterinari, neni 13 pika c dhe e, vërtetohet legjitimiteti pasiv i Komunës së Pejës, andaj gjykata e obligoi të paditurën si më lartë.

Sipas padisë së ushtruar më 13 korrik 2020, paditësja F.S po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej 5 mijë euro, nga e paditura Komuna e Pejës.

Sipas padisë, në Pejë, në rrugën “Anton Çeta”, e në afërsi të shkollës fillore “Dardania”, më 30 maj 2020, rreth orës 08:30, derisa paditësja ishte duke ecur nëpër rrugën e asfaltuar, dy qentë endacak, e sulmojnë dhe kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, andaj e njëjta me ndihmën e kalimtarëve të rastit mezi arrin që t’i largojë qentë.

Në padi thuhet se si pasojë e lëndimeve të pësuara nga kafshimi i qenve në këmbë dhe në krahë, paditësja ishte dërguar në Q.M.F. “Dardania”, në Pejë, ku mjeku pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse mjekësore ka konstatuar se në trupin e paditëses nga kafshimi i qenve ishin shkaktuar plagë dhe vrragë të theksuara, për çka urgjentisht i është rekomanduar që ta marrë serumin kundër helmimit.