Fatura

Qytetari nga Ferizaj ankohet se për shtëpinë e pabanuar fatura e rrymës i erdhi 90 euro

Fatura e energjisë elektrike Shpejtim Oranës nga Ferizaj i erdhi 90 euro, në shtëpinë që nuk banon në të. Ai është ankuar tek institucionet relevante, por ka thënë se nuk i është gjetur zgjidhje. Në shoqatën e konsumatorëve thonë që muajve të fundit kanë hasur në raste të ngjashme.

Banon në Zvicër por kur erdhi në Kosovë fatura e energjisë elektrike i erdhi 90 euro.

Shpejtim Orana nga Ferizaj thotë se në shtëpinë që e ka nisur bashkë me vëllezërit e tij që gjithashtu nuk jetojnë në Kosovës, njësori i rrymës i ka regjistruar shpenzime që ai pretendon se nuk kanë ndodhur.

Thotë që ndonëse është ankuar tek institucionet relevante, nuk i është gjetur zgjidhje.

“Siç po e shini, shtëpia është e pabanuar, mirëpo fatura e fundit më ka ardhur në vlerën 90.44 euro. Edhe pse e kam lajmëruar rastin dhe i kam thirrë që ta verifikojnë, ata nuk kanë pranuar me arsyen se ata nuk mund të bëjnë vizita në shtëpi e të shohin se a banon apo jo dikush”, ka thënë Orana.

Për fryrje të faturave të energjisë elektrike janë ankuar së fundmi shumë qytetarë.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka akuza zyrtarët e KEDS-it për keqlexim të qëllimshëm të njësorëve.

“Në ankesa përfliten elemente nga më të pamundshmet, që dëshmojnë se jo vetëm rritja e çmimit të energjisë elektrike, por edhe keq-leximi ose manipulimi i leximit është problem në këtë rast”, ka deklaruar Kaçaniku.

KOHA i është drejtuar me pyetje KESCO-s lidhur më këtë rast, si dhe me praktikën që ndjekin kur kanë ankesa, mirëpo edhe pse ka kaluar një javë, nuk janë përgjigjur.

Sipas Rregullores për ankesa të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), neni 6 parasheh mbrojtjen e konsumatorit dhe obligon operatorët që të mbrojnë konsumatorët.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkon nga qytetarët që të padisin KESCO-n, KEDS-in dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë pas ankesave të fundit të qytetarëve për fryrje të faturave.