Në 24 orët e fundit në qendrën e thirrjeve të numrit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë për personat që dyshojnë se janë të infektuar me koronavirus janë pranuar 516 thirrje telefonike.
Kjo është bërë e ditur nga vetë ministria përmes një njoftimi për media.
“Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 1901 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 516 thirrje telefonike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Më tej, bëhet e ditur se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
“Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore. Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente”, thuhet më tej në njoftim.
Në Kosovë, aktualisht numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 16.







