Ministria e Financave ka bërë të ditur se publikimi i një mesazhi se do të dalin paratë për Pakon Emergjente Fiskale  është i rrenë.

Sot është përhapur një mesazh manipulues ku thotë se shpejt përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale do t’i marrin paratë që ofron kjo pako e merituar nga Qeveria.

Ministria e Financave e ka demantuar këtë lajm duke thënë se është manipulim.

“Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë se ky njoftim nuk ndërlidhet fare me Ministrinë e Financave dhe strukturat e saj, dhe si i tillë ka qëllim mashtrimin, duke rënë kështu në domenin e krimit kibernetik”, thuhet në njoftim.

Pako Emergjente dhe Pako për Rimëkëmbje Ekonomike janë dy mekanizmat e shtetit që të tejkalohet kriza ekonomike. /Ballkani/

Njoftimi i plotë:

𝐌𝐅 𝐧𝐣𝐨𝐟𝐭𝐨𝐧 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐬𝐞 𝐦𝐞𝐬𝐚𝐳𝐡𝐢 𝐢 𝐬𝐨𝐭𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐞̈𝐫𝐟𝐢𝐭𝐢𝐦 𝐧𝐠𝐚 𝐏𝐚𝐤𝐨𝐣𝐚 𝐄𝐦𝐞𝐫𝐠𝐣𝐞𝐧𝐭𝐞 𝐅𝐢𝐬𝐤𝐚𝐥𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐧𝐠𝐚 𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐅𝐢𝐧𝐚𝐧𝐜𝐚𝐯𝐞, 𝐩𝐨𝐫 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐬𝐡𝐭𝐫𝐢𝐦

Sot në ora 15:08 minuta, nga një adresë elektronike e panjohur dhe me qëllim dashakeq (mf.rksgov.net@outlook.com) është dërguar një njoftim gjoja në emër të Thesarit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, në drejtim të një numër të caktuar të adresave elektronike zyrtare, gjoja për mundësinë për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, nëpërmjet plotësimit të të dhënave të caktuara të natyrës personale.


Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë se ky njoftim nuk ndërlidhet fare me Ministrinë e Financave dhe strukturat e saj, dhe si i tillë ka qëllim mashtrimin, duke rënë kështu në domenin e krimit kibernetik. Përveç kësaj, vegza e bashkëngjitur në këtë njoftim “orienton” pranuesit në një formular, i cili shihet të jetë një formë e mashtrimit, për mbledhjen në mënyrë të kundërligjshme të dhënave të ndjeshme personale dhe atyre bankare. Andaj, kërkojmë nga të gjithë zyrtarëve apo qytetarëve që kanë pranuar këtë njoftim të mos plotësojnë të dhëna e kërkuara dhe në raste të tilla të njoftojnë Policinë e Kosovës për këtë rast.

Ministria e Financave komunikon vetëm përmes adresave zyrtare të cilat vijnë nga domeni zyrtar (@rks-gov.net). Për këtë Agjencia Shoqërore e Informacionit (ASHI) tashmë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurinë dhe ka njoftuar përdoruesit e domenit të institucioneve të Kosovës.

Me qëllim të zbardhjes së këtij veprimi me elemente të veprës penale, Ministria e Financave do të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit, dhe do ta njoftojë me kohë opinionin publik për zhvillimet e mëtutjeshme.