Qytetarët mbledhin 13.000 euro për familjen e policit të vrarë në Istog (FOTO)

Ditën e enjtë të kësaj jave, gjatë një grabitje të bankës e cila përfundoi me pasoja fatale, mbeti i vrarë edhe një polic në detyrë.

Polici Izet Demaj, i cili i ishte përgjigjur thirrjes për grabitje të një banke në qendër të Istogut, ishte ballafaquar me grabitësin gjatë daljes së tij nga banka, transmeton Ballkani.info.

Grabitësi kishte shtënë me armë automatike në drejtim të policit Demaj, i cili si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

I vdekur në vendin e ngjarjes ka mbetur edhe grabitësi, i cili është qëlluar nga një polic tjetër, ku iu gjetën një armë automatike (AK-47) dhe një granadë dore.

Situata e krijuar kishte ngjallur reagime të shumta me ç’rast edhe Qeveria e Kosovës i kishte ndarë familjes së policit të vrarë një shumë prej 15.000 eurove.

Por ngjarja si duket ka prekur edhe qytetarët e Kosovës, të cilët kanë ngritur një fondacion në rrjetin social Facebook dhe po synojnë të mbledhin deri në 20.000 euro për familjen Demaj, shkruan Ballkani.info.

Deri më tani, mjete financiare kanë dhuruar 374 qytetarë, dhe janë mbledhur rreth 13.000 euro. /Ballkani.info

Linku për të dhuruar donacion:

https://www.facebook.com/donate/596290447491402/1871200063002417/

Video e siguruar nga Ballkani.info nga momenti i vrasjes së grabitësit të bankës: