Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, sinonim i qytetit të ndarë, u shndërrua në simbol të kronologjisë pothuajse të të gjitha ngjarjeve të errëta në këtë qytet, duke bartur mbi supet e saj mbi 1 mijë incidente të ndryshme prej pasluftës e deri më sot.
Bisedimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel rreth saj dhe situatës së përgjithshme në vend, duke përfshirë edhe temat si korrigjimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës, kanë krijuar konfuzion, paqartësi e mos besim tek qytetarët, sidomos ata të Mitrovicës, të cilët fajësojnë BE-në, por edhe politikanët kosovarë për situatën më të re të krijuar këtu.
Kaltrina Pllana, qytetare, ka fajësuar politikanët kosovarë, por edhe përfaqësuesit evropianë, për gjendjen aktuale në Mitrovicë dhe mos hapjen e urës.
Ajo nuk fsheh dëshirën për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, ndonëse thotë se gjasat janë minimale, ndërsa nuk çuditet edhe në rast të ndarjes së Kosovës.
Erhan Mujka, qytetar nga Mitrovica, tha se Evropa së bashku me politikanët vendorë i kanë fajet për situatën çfarë vazhdon të mbretërojë në këtë qytet.
Sipas tij, Evropa pati dhënë disa premtime rreth hapjes së urës të cilat nuk i përmbushi, ndërsa politikanët nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim.
Ai shpreson se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por nuk është i sigurt.
Edhe Milazim Xhafa, një qytetar tjetër nga Mitrovica, konsideron se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Duke fajësuar evropianët së bashku me udhëheqësit kosovarë për situatën aktuale në këtë qytet, ai tha se Evropa ka vu 95 kritere për shtetin e Kosovës dhe tash ia ka kthyer shpinën, ndërsa udhëheqësit prej pas luftës nuk kanë ndërmarr asgjë për bashkimin e Mitrovicës.
Në anën tjetër, politologu Musa Preteni, ka bërë të ditur për KosovaPress se është pikërisht Kosova ajo që në bisedimet në Bruksel e ka hapur çështjen e korrigjimit të kufijve, andaj për këtë mban një pjesë të fajit.
Sipas tij, tema e korrigjimit të kufijve e implikon vonimin e hapjes së urës së Ibrit.
Prandaj, shtoi ai, ura vazhdon të jetë e mbyllur sepse nuk dihet nëse veriu në këtë konstelacion politik të negociatave do t’i kaloj Serbisë ose jo.
Ai shtoi se ura do të jetë një temë e gjatë derisa BE-ja nuk konsideron se ideja ose propozimi i korrigjimit të kufijve nuk do të ndikojë në Mitrovicë.
Ndryshe, sa i përket fajtorëve për gjendjen aktuale në Mitrovicë, mendime të ndryshme ndajnë edhe vetë politikanët kosovarë.
Derisa kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, në deklaratat e tij të fundit fajëson homologun e tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, për vonesat rreth hapjes së urës, duke insistuar se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, pa përmendur ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo, ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, vonimin e procesit të hapjes së urës e ka quajtur dështim të Bashkimit Evropian.







