Barnatore

Qytetarët ankohen se asnjë barnatore në kryeqytet nuk kujdestaron afër QKUK-së

Qytetarët në Prishtinë kanë shprehur ankesa lidhur me barnatoret dhe vështirësitë për t’u furnizuar me barna gjatë natës. Një qytetare thotë se nuk arriti të blejë medikamentet që mjeku ua përshkroi fëmijëve me temperaturë për shkak se nuk gjeti barnatore të hapur. E në Drejtorinë e Shëndetësisë thonë se ky projekt është në fazë të parë dhe se në fillim të vitit pritet që kjo rregullore të plotësohet.

Sadije Bajrami tregon se nuk arriti të sigurojë medikamentet që pediatri në QKUK ua përshkroi fëmijëve me gripozë e temperaturë të lartë.

Ajo thotë se e pati vështirë të gjente një barnatore të hapur në kryeqytet.

“Pasi e përfundova kontrollin e fëmijëve, dola, se kesh edhe me taksi, dola me i kërkua barnatoret. Asnjë barnatore e hapur….Kam qenë deri te rruga ‘B’, te furra ‘Dita’ që është, nuk ka pasur asnjë barnatore hapur, kam ardh te qendra këtu te spitali që janë këto barnatoret, asnjë barnatore nuk ka qenë e hapur. Edhe është dashtë të kthehem në shtëpi, fëmija me temperaturë tërë natën, deri sot në mëngjes kur janë hapur. Për temperaturë më qëlloi, por qe zoti na ruajt nuk qëllon as për temperaturë, qysh t’i e mjekon fëmijën tënd? Ku me e marrë? Të shkon poshtë fëmija”, ka thënë Bajrami.

Një muaj e gjysmë më parë Komuna e Prishtinës përmes një rregulloreje vendosi që çdo javë, nga e hëna deri të shtunën, të kujdestarojnë pesë barnatore, ndërsa të dielën dhe gjatë festave 10 sosh.

Por që nga ajo kohë pakënaqësi të shumta kanë shprehur qytetarët. Shumë prej tyre thanë se kanë vështirësi në gjetjen e barnatoreve të hapura gjatë orëve të vona.

E drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se Rregullorja aktuale pritet të ndryshohet bazuar në ankesat dhe kërkesat e qytetarëve që janë duke u analizuar nga një grup punues.

“Jemi mundu që këto kërkesa edhe të komunitetit edhe të qytetarëve që me e rritë numrin e, apo orarin, së pari orarin e barnatoreve që punojnë e pastaj numrin e barnatoreve kujdestare me e pas parasysh dhe sigurisht fokusi ynë do të jetë që barnatoret që punojnë në kujdestari me pas fokusin kryesore apo me qenë rreth institucioneve shëndetësore, QKUK dhe tri Qendra të Mjekësisë Familjare që punojnë 24 orë, aty me qenë fokusi më i madh e jo në pjesë të tjera”, ka deklaruar Sadiku.

Sadiku premton se do të ketë rritje të numrit të barnatoreve kujdestare afër institucioneve shëndetësore.

Në Drejtorinë e Shëndetësisë thonë se plotësim-ndryshimet e Rregullores do të kalojnë në Kuvend gjatë këtij muaji e në fillim të vitit të ardhshëm.

Përveç qytetarëve, këtë rregullore e kanë kundërshtuar edhe mbi 30 pronarë të barnatoreve në kryeqytet, të cilët para një muaji kanë protestuar me kërkesën për ndryshim të Rregullores për orarin e kujdestarisë.