Ambasadori i Gjermanisë

Qysh i qiti në rrenë ambasadori gjerman Kurtin dhe Gërvallën për Këshillin e Evropës

“Veç edhe një hap larg anëtarësimit në Këshill të Evropës”, ishte vargu i këngës së këndshme që qeveria kosovare ia thoshte derisa shampanjat gufonin në Strasburg në një ndejë të organizuar për deputetët e Asamblesë Parlamentare të KiE-së që kishin votuar ‘për’ kalimin e raport/opinionit të Dora Bakoyanis për në fazën finale të trajtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Fytyra të gëzuara qeveritarësh dhe qindra e mijëra postime nëpër të gjitha rrjetet sociale për një sukses “të pashembulltë” në politikën e jashtme vërshonin gjithandej.

Por, ky gëzim doli jetëshkurtër e shpejt i konsumueshëm teksa kushti i hidhët për procedimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe ishte ngurtësuar për nivelin përfundimtar vendimarrës të KiE-së: Komiteti i Ministrave.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim të zymtë për media pati njoftuar se Kosova “nuk e pranon kushtëzimin me Asociacion”, se kjo është “absurde”, se “nuk e prisnim nga shtetet njohëse dhe mbështetëse”, se ai dokument “është jo-dokument”, se “Strasburgu nuk është Bruksel”, se ky kusht u nxor “në momentin e fundit”, dhe fraza të tjera zhgënjimi karshi aleatëve që supozohej ta mbështesnin pa-një-pa-dy Kosovën në anëtarësimin e saj.

Në një intervistë të enjten dhënë për Nacionale, ambasadorin gjerman Jorn Rohde – Gjermania duke qenë prej mbështetseve më të mëdha e kyçe në vetë pranimin e aplikacionit prej fazave më të para – e pyetëm për këtë ‘zhgënjim’ dhe ‘të qënit zënë në befasi’ të Kurtit.

Në përgjgijen e tij Rohde e jep që Kurti ka qenë në dijeni për kushtëzimin me Asociacion si të paevitueshëm; dhe ky kusht aspak nuk u vendos në momentin e fundit.

Ju, duke folur në media, thatë se ishit “i befasuar që Kurti ishte befasuar” se Asociacioni ishte kusht. Dhe, siç ka thënë ai në konferencë për media, priti që vendet mosnjohëse të ishin pengesë, dhe jo shtete njohëse dhe mbështetëse. Pra, po thoni që Kurti ishte në dijeni që Asociacioni ishte kusht qysh më parë?

Rohde: Po, unë edhe njëherë mund t’i referohem as letre (Scholz, Macron, Meloni).

Sepse ai tha që ky kusht erdhi bash në fund…

Rohde: Jo. Ia kemi bërë shumë të qartë që duhet lëvizje (drejt Asociacionit). Sepse kjo edhe nënvizon përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave. Sepse është edhe obligim ligjor i vjetor. Po flasim këtu për obligim të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës nga 2015. Qeveritë s’kanë lëvizur drejt asaj; dhe kur ju doni të bëheni anëtare e një organizate sundimi të ligjit siç është KiE-ja; e që në veçanti është e angazhuar në të drejtat e pakicave, kjo është e rëndësishme. Dhe, përsëri, qeveritë vendosin me 2/3 të votave; e Gjermania e ka veç një votë, dhe ju keni diku 10 mosnjohës në KiE. Pra, është sfidë t’i arrini këto vota, dhe, në mënyrë që miqtë e juaj të votojnë për ju, por edhe vendet skeptike, ju duhet t’i bëni detyrat e shtëpisë. Dhe Asociaiconi nuk është bërë.

Por, jo veç Kurti përgëjeshtrohet qartë. Rohden e pyetëm edhe për deklarimet e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, që ranë si tallje për mendjen e shëndosh të publikut. Se qeveria kosovare ashtu kështu s’e kishte objektiv anëtarësimin e plotë këtë vit; dhe se deri në majin e vitit të ardhshën, çka do që të ndodh, është brenda objektivave të qeverisë.

Sa për një seancë të jashtëzakonshëm të Komitetit të Ministrave. Ministrja jonë e Jashtme (Donika Gërvalla) thotë se po punon për një seancë të jashtëzakonshme. A mund të ndodh kjo pa kushtin e Asociacionit? Sepse ajo nuk e përmend këtë.

Rohde: Seancat e jashtëzakonshme të Komitetit të Ministrave i vendosin qeveritë. Krejt çështja më ka kaluar nga Asambleja Parlamentare në trupat vendues, që është Komiteti i Ministrave. Dhe, juve ju duhet të bindni ata. Dhe aty ne, Gjermania, Italia, Franca kemi marrë qëndrimet e qarta. Ne krejt jemi mbështetës të mëdhenj të Kosovës për anëtare në KiE; por, presim lëvizje të catuar në këtë çështje: Asociacionin. Rruga për KiE është qartë e vizatuar në këtë letër.

Por, Donika Gërvalla, kohëve të fundit thotë që “as nuk ishte objektivi jonë të anëtarësoheshim në këtë vit”; thotë se krejt çka ndodh deri në maj të vitit të ardhshëm është mirë për neve. Si e komentoni këtë?

Rohde: Pse ta komentoj këtë? Paskam menduar që Kosova donte të anëtarësohej në seancën e majit të këtij viti. Dhe qëndrimi jonë është se Gjermania mbështeti synimin e anëtarësimit të Kosovës kur u bë në fillim të 2023; për ta kaluar këtë aplikim në Asamblenë Parlamentare; e mbështetëm shumë; shkuam edhe te vendet anëtare për ta mbështetur. Pra, edhe njëherë, aq më herët aq më mirë. Por, duhet të çoni peshat e rënda, dhe këtë mundet vetëm Kosova, ne veç mund t’ju japim këshillat për të arritur dy të tretat e votave.