Qumështarët ankohen se s’kanë mbështetje nga Qeveria, paralajmërojnë protesta

Shoqata e Industrisë së Qumështit i ka dërguar të martën një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes së cilës kanë shprehur shqetësimin se nuk e kanë mbështetjen e duhur institucionale.

Në letër thuhet se është e papranueshme që Ministria e Bujqësisë e ka mbështetur sektorin e qumështit me 500 mijë euro grante.

“Mbështetja Institucionale në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm i cili ka të punësuar mbi 8.000 punëtorë nuk është në nivelin për të cilin ne kemi nevojë, edhe pse gjithmonë ne kemi qenë aktiv nëpër grupet punuese ku kemi paraqitur propozimet të cilat kanë ardhur drejtpërdrejtë nga kompanitë përpunuese të qumështit, ku në thirrjen e fundit për grante kërkesat tona nuk janë marr parasysh! Është për keqardhje që për një industri të tillë siç është kjo e përpunimit të qumështit Ministria e Bujqësisë të mbështet këtë sektor me grante me një shumë 500.000 euro e cila shumë nuk i plotëson kërkesat e adresuara nga shumica e përpunueseve të qumështit”, thuhet në letër.

Qumështarët kanë paralajmëruar se nëse nuk gjejnë mirëkuptim për kërkesa e tyre, atëherë do të dalin në rrugë për të protestuar.

“Nëse nuk gjejmë mirëkuptim për kërkesat tona legjitime në të ardhmen ne do ti shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore dhe nëse është e nevojshme edhe mekanizmat tjerë siç është dalja në rrugë”, thuhet më tej në letër.