Qorrolli: Kushtetuta po shkelet nga vetë bartësit e institucioneve që mes vete kanë përçarje

Vigan Qorrolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, tha se Kushtetuta e Kosovës nuk po gjen zbatim të mirëfilltë.

Kujtojmë se sot janë mbushur njëmbëdhjetë vjet qëkur Kosova është bërë me Kushtetutë të veten.

Qorrolli në Express Intervistën në KTV, tha se zbatimi i Kushtetutës paraqet një funksion që domosdoshmërish është një operacion kolektiv.

“Në 11 vjet të Kushtetutës së Kosovës, institucionet kanë treguar se në disa pjesë të saj janë të saktë por në disa as s’janë implementuar, e këtë mos implementim, e kanë bërë me dëshirë, nuk kanë lejuar të implementohen. Flasim psh situatën në veri të Kosovës. Në rrethanat e Kosovës, Kushtetuta është implementuar nga disa institucione dhe nga disa të tjera jo. Gjithashtu ajo është shkelur nga disa institucione dhe nga disa të tjera jo”, tha Qorrolli.

Qorrolli tha se Kushtetuta ka pasur shumë sfida të rënda, e si tërësi duhet implementuar tërësisht, e në këto 11 vjet historia e Republikës së Kosovës nuk e thotë ashtu.

“Derivat i pavarësisë sonë është Kushtetuta e Kosovës, e cila shpeshherë është shkelur nga vet bartësit e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Frymën dhe fuqinë politike, Qorrolli tha se në Kosovë, s’po e përdorin me mekanizma politik por përmes Gjykatës Kushtetuese. E këtë Gjykatë, ai tha se shumë individë e kanë keqpërdorur.

“Bartësit e institucioneve nuk janë të emancipuar që t’i përdorin ashtu si duhet shumë çështje kushtetuese”, tha tutje.

Sipas Qorrollit, Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të ndajë drejtësi.

“Fajet duhet t’i gjejmë te politika që shpeshherë institucionet e pavarura i përdor për interesa të vet. Kemi përçarje të thellë mes bartësve të institucioneve. E kanë përdorur këtë Gjykatë dhe tani as populli nuk ka më besim në institucione të pavarura sepse këto institucione, po përdoren për baza ditore”, tha tutje.

Funksioni normativ i Kushtetutës në këto 11 vjet, thotë Qorrollli, ka qenë krijimi i një identiteti shtetëror të qeverisjes së përgjegjshme nëpërmjet zbatimit kushtetues.

“Institucionet tona qeverisëse nuk e shtrijnë kontrollin efektiv mbi tërë territorin e Republikës dhe si rrjedhojë kanë hasur në vështirësi të shumta”, tha tutje.