Qorolli: Ndryshimet kushtetuese s’mund t’i prekin zgjedhjet e 6 tetorit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa të mërkuren ka përmendur mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës.

Këtë gjë e ka bërë pas takimit me kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, në kuadër të konsultave të këtij të fundit me liderët politikë, rreth opsioneve pas rrëzimit të Qeverisë Kurti përmes një mocioni mosbesimi në Kuvend.

“Duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe kushtetutën”, ka deklaruar Mustafa pas takimit.

Por, analisti politik Vigan Qorolli thotë se ndryshimet kushtetuese nuk mund të kenë efekt retroaktiv dhe nëse bëhen ndryshime, ato vlejnë për zgjedhjet e radhës.

“Ndryshimet kushtetuese s’mund të kenë efekt prapaveprues, sepse kjo qeveri duhet ta adresojë besnikërinë e sovranit (popullit) të deklaruar me zgjedhje në ditën e 6 tetorit 2019”, i ka thënë ai KOHËS. Qorolli, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ka thënë po ashtu se Kushtetuta “duhet ndryshuar jo vetëm në nenin 95, por edhe në disa nene tjera, që në disa raste janë treguar ose të pamjaftueshme, ose janë interpretuar gabimisht nga forcat politike”.

“Sidoqoftë, në rast të ndryshimeve, ato duhet të vlejnë për zgjedhjet e radhës kurdo që mbahen ato, dhe jo për një proces kushtetues të lënë përgjysmë në formimin e Qeverisë, pas mosbesimit të Qeverisë Kurti. Kushtetuta dhe aktgjykimi i 2014-tës i Kushtetueses janë të mjaftueshme për të dalur nga kjo situatë e krijuar nga vet partitë politike”, ka thënë ai.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Qeveria, Presidenti ose një e katërta e deputetëve të Kuvendit, mund të propozojnë ndryshime dhe amendamenteve të saj, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit.

Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.

Qorolli ka theksuar se ndryshimet në Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi “vetëm pasi të ketë adresuar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.

“Nuk është e sigurt nëse Kryetarja e Kuvendit në këtë fazë është në linjë me partinë e saj, LDK-në dhe kryetarin e saj, Mustafën, për të bërë ndryshime kushtetuese në Nenin 95 të saj”, i ka thënë Qorolli.