VLEN

Qoku me akuza rënda për liderët e “Frontit Evropian”: E kanë Vuçiqin, ne kemi Albinin

Në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale të koalicionit “VLEN” që po mbahet në sheshin “Iliria” në Tetovë, Bekim Qoku, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Maqedoni të Veriut, njëherit këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “VLEN-i e ka mbështetjen e këtij të fundit dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa ka adresuar akuza të rënda ndaj liderëve të koalicionit të “Frontit Evropian”.

“Dëshiroj t’iu përcjellë të fala nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet vetëm VLEN-in, Lëvizja Vetëvendosje është VLEN-i. Ata kanë Vuçiqin, ne kemi Albinin. Ata do të humbin, ne do të fitojmë”, tha Qoku.

Ndërkaq ish-kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, dhe njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, ka thënë se kishte ofertë nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, për t’iu bashkuar “Frontit Evropian”, por theksoi para simpatizantëve se “unë zgjodha të jem me ju”.

“Pata ofertë nga Ali Ahmeti, ofertë të cilën disa bashkëpartiakë të mi nuk munden ta refuzojnë. Por unë zgjodha të jem me ju dhe jam krenar që e kam bërë këtë zgjedhje dhe gëzuar fitorja. Kjo fushatë ishte e paharrueshme”, tha Taravari.

“Ju kemi lodhur me fushatë, por kur ta bëjmë qeverinë mbas dy tre ditëve do të vrapojmë edhe me shumë se sa në fushatë, nuk do të rehatohemi nëpër karrige. Më 8 maj e festojmë fitoren historike të shqiptarëve, na priftë e mbara”, shtoi.

Dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë koalicioni “Fronti Evropian” dhe koalicioni “VLEN”. Përderisa koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja gëzon mbështetjen e pjesës së madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, koalicioni “VLEN” mbështetet hapur nga kryeministri i Kosovës, këshillitari i të cilit garon në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj 2024.

Ndryshe, bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, zgjedhjet pritet të fitohen nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka një qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase.