QKUK publikon pamjet e kamerave brenda emergjencës ku shihet i moshuari me dhimbje (VIDEO)

Janë publikuar pamje nga brenda Klinikës Emergjente nga ku shihet i moshuari A.H i cili kontrollohet nga infermierët.

Sipas një video që ka publikuar Gazeta Shneta, njëri nga infermierët e Klinikës Emergjente shihet duke u kujdesur për të moshuarin. Ai fillimisht e pyet diçka pastaj ia merr dokumentacionin dhe konsultohet me mjekët në repart.

Video ku A.H shihet duke rënkuar nga dhimbjet në Emergjencë, bëri që të ketë reagime të shumta.

“Prej 10 është njeri, në Emergjencë, shikoni si si hjek prej 10 të natës, veç e kanë qit edhe e kanë lënë kështu. E lëkund kryet duke luftuar me shpirt”, kishte shkruar qytetari që e kishte publikuar videon.

E gjatë ditës kanë folur edhe familjarët e të moshuarit. Ata kanë thënë se personi në fjalë është i sëmurë nga zemra.

“Me anë të autoambulancës babai është dërguar nga Mitrovica në Klinikën e Emergjencës në Prishtinë. Mjekët në fillim i kanë dhënë një injeksion dhe disa hapa, kështu pas kësaj nuk e kanë pranuar për ta shtrirë në spital”, thanë familjarët e të sëmurit.

Personi në fjalë kishte mbetur në korridorin e kësaj klinike, pasi askush nuk ka qenë prej familjarëve të tij me të.

“Nga ora 10:00 deri kah mëngjesi babi ka mbetur në korridor. Në mëngjes i është bërë ekageja e zemrës dhe një kontroll nga mjekët”, thanë për klankosova.tv familjarët e të sëmurit.

Personi i moshuar është tani tek familjarët e tij dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.