Pas raportimit për arrestimin e punëtores së lavatores në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, F.C, menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, bazuar në Ligjin e Punës, ka larguar përkohësisht atë nga puna.
SHSKUK, mbështet veprimin e Departamentit të Hetuesisë duke dënuar veprimin e bërë dhe siguruar qytetarët se nuk do të ketë vend për punëtorët që keqpërdorin detyrën zyrtare, thuhet në njoftimin e dërguar nga SHSKUK-ja.
Sot, Policia e Kosovës konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka njoftuar se është arrestuar një person i gjinisë femërore në SHSKUK e cila është kapur duke marrë ryshfet.
Informacionin për personin e dyshuar, Policia e Kosovës e kishte marrë muajin e kaluar, ku ishte njoftuar se punëtorja e SHSKUK-së i kishte premtuar një personi rregullimin e dokumenteve me qëllim të përfitimit të pensionit si viktimë civile e luftës, përcjell Ballkani.info.
Për këto shërbime, e dyshuara i kishte kërkuar personit në fjalë shumën prej 400 eurove.
Pas punës hetimore të policisë, punëtorja e SHSKUK-së është arrestuar në flagrancë sot kur edhe ka pranuar shumën e të hollave nga qytetari.
Në njoftim është bërë e ditur se me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Ballkani.info/







