Qindra gra finlandeze i dalin në mbrojtje kryeministres, postojnë video duke kërcyer

Qindra gra në Finlandë kanë postuar video të tyre duke kërcyer për të mbështetur kryeministren Sanna Marin, e cila u përfshi në një skandal pas shfaqjes së dy videove të saj duke festuar.

Gratë, përfshirë ato në Danimarkën fqinje, kanë ndarë video duke kërcyer me miqtë e tyre për të mbështetur lideren më të re të një shteti në botë. 36-vjeçarja Marin është vënë në qendër të kritikave ditët e fundit, pasi u shfaqën dy video të saj duke kënduar dhe kërcyer në një festë me miqtë dhe duke u kënaqur në një dhomë private VIP të një klubi nate në Helsinki.

Disa i kanë kritikuar klipet, duke thënë se ato ngrenë pikëpyetje mbi gjykimin personal dhe politik të lideres.

Kritikët thonë gjithashtu se festa e kryeministres është e papërgjegjshme në një kohë kur tensionet me Rusinë po intensifikohen për shkak të përpjekjeve të saj për ta bërë Finlandën pjesë të NATO-n, gjatë luftës së vazhdueshme të Vladimir Putin me Ukrainën.

Kryeministrja ka hedhur poshtë pretendimet për marrjen e drogës në festë dhe tha se ajo kishte bërë një test droge, i cili do të bëhej publik kur rezultatet të ishin të disponueshme.

https://twitter.com/CoxaValgus/status/1561132152573595648

Duke mbrojtur veprimet e saj, Marin, e cila e mori detyrën në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare, tha se ajo nuk bëri gjë tjetër veçse “vallëzoi, këndoi, përqafoi miqtë e saj dhe piu alkool”.

“Shpresoj që në vitin 2022 të pranohet që edhe vendimmarrësit të kërcejnë, të këndojnë dhe të shkojnë në festa”, tha ajo ndërsa shtoi se nuk ishte e mërzitur që pamjet ishin bërë publike dhe se ato ishin filmuar në një vend privat.

Në videon e parë që u publikua, që duket se ishte marrë nga “Instagram Stories”, Marin shfaqej duke pirë me disa miq ndërsa këndonin dhe kërcenin me këngë të reperit finlandez Petri Nygard dhe yllit të popit Antti Tuisku. Vetëm pak kohë me pas u zbulua një video e dytë, në të cilën kryeministrja kërcente me yllin e muzikës pop Olavi Uusivirta në një lokal nate në Helsinki.

Marin, e cila është e martuar me Markus Raikkonen që nga viti 2020, mohoi gjithashtu pretendimet se Uusivirta po e puthte në qafë në klip.

E teksa nuk kishte asnjë provë për marrjen e drogës në klipe, disa media pretenduan se shprehja “jauhojengi”, që do të thotë “banda e pluhurit”, mund të dëgjohej në një nga klipet, duke aluduar për përdorimin e kokainës.

Në përgjigje të kritikave të ashpra, një mori grash postuan video të tyre duke kërcyer dhe pirë në shenjë mbështetjeje.

Të shtunën, eksperti i sigurisë kibernetike Petteri Järvinen sugjeroi se Rusia mund të ketë hakuar telefonin ose llogaritë sociale të dikujt që ishte pjesë e rrethit të ngushtë të Marin, sipas gazetës Iltalehti.