“Qeveritë e ardhshme me bazë fetare në Kosovë do ta përdorin këtë që bëri Kurti me Amerikën”

“Kryetarët në Veri pranuan rolin në një lojë fëmijërore, prandaj të japin dorëheqje”, ka thënë në një intervistë për Albanin Post, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kur ka sqaruar se si mund të rrjedh proceduar deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja në Veri.

Hasani këto komente i bëri pas kërkesës së presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që në Veri të Kosovës të mbahen zgjedhje të reja, meqë pati tensione të krijuara atje, ku serbët lokalë kanë organizuar protesta të dhunshme për të mos i lejuar kryetarët shqiptarë të futen në objetet komunale.

Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Vjosa Osmani gjatë takimit të enjten ne Moldavi

I pyetur se çfarë ndodhë nëse kryetarët e zgjedhur të komunave refuzojnë të japin dorëheqje, Hasni shpjegon se ata mund të suspendohen, “mirëpo vendimi për suspendim duhet të konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese”.

“Ekziston mundësia e shkarkimit të tyre nga ana e qeverisë, ku ata fillimisht duhet të suspendohen me një akt qeveritar dhe, më pas, ai akt për suspendim duhet të konfirmohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Hasani.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e konfirmon vendimin për suspendim, atëherë qeveria mund të shkarkojë kryetarin përkatës të komunës që paraprakisht ka pasur akt mbi suspendimin”.

“Mirëpo, nuk shoh arsye pse ata nuk do të japin vetë dorëheqjen: ata e kanë ditur që kjo është një zgjedhje e përkohshme dhe kanë pranuar të luajnë këtë rol që ka shijen e lojës fëmijërore”, shtoi ai.

Për vendimin e qeverisë së Kosovës, që Policia t’i asistojë për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, pati kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga aleati më i madh i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Ameirkës, të cilët pas këtij veprim nga Qeveria Kosovës, vunë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet në mes të dy shteteve.

Nisur nga kjo, një grup intelektualësh nga Kosova iu drejtuan me një letër të hapur kryeministrit Albin Kurti ku i kërkuan që me urgjencë të vendos marrëdhëniet me ShBA-të, ndër të cilët ishte edhe vetë Hasani.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare për AP tregon se arsyeja e kësaj letre ishte për shkak se “Kurti ka shkuar pak larg duke i bërë dëm afatgjatë raporteve tona me amerikanët dhe vendet tjera perëndimore”.

“Lëndimi i këtyre marrëdhënieve në të ardhmen do të shprehet çdoherë në kohë krizash”, potencoi ai, duke shtuar që “nuk përjashtohet që qeveritë tjera me bazë fetare, që janë të pashmangshme në të ardhmen, kanë për ta përdorur si një precedent për t’iu kundërvënë perëndimit”.

“Ky është dëmi më i madh që është bërë me veprimet e fundit të Kurtit”, beson Hasani.

Jashtë kësaj, Albanian Post ka pyetur ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese edhe për mos zbatimin nga ana e Kosovës të vendimit për Manastirin e Deçanit, gjë që është kërkuar dhe po kërkohet vazhdimisht nga ndërkombëtarët.

Mos zbatimi i këtij vendimi nga Kosova, për ish-rektorin e UP-së është një gjë e pakuptimtë.

Ai mendon se “Kosova kaherë është dashur ta zbatojë atë vendim dhe ta mbyllë atë çështje”.

Hasani vlerëson që “sa më shumë të shtyhet, më shumë sovranitet territorial fiton Kisha Ortodokse Serbe”.

“Zaten arsyeja kryesore pse Kisha Ortodokse Serbe me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit fiton një ekstraterritorialitet, ka të bëjë pikërisht me sjelljen tonë të papërgjegjshme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me Manastirin e Deçanit”, elaburoi ai për AP.

Intervista e plotë me Enver Hasanin

  Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës që në Veri duhet të ketë zgjedhje të reja pas situatë së krijuar. A mund të na tregoni se si funksion procedura e zgjedhjeve?

Enver Hasani:Zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës, jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes përkatësisht largimit të kryetarit. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes, përkatësisht largimit të kryetarit të komunës. Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.

A duhet të japin dorëheqje krytarët paraprakisht?

Enver Hasani:Po, patjetër që ata duhet të japin dorëheqje. Ekziston edhe mundësia e shkarkimit të tyre nga ana e qeverisë, ku ata fillimisht duhet të suspendohen me një akt qeveritar dhe, më pas, ai akt për suspendim duhet të konfirmohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Çka nëse nuk japin dorëheqje, a mund të shkarkohen?

Enver Hasani: Po. Siç thash më sipër, ata mund të suspendohen, mirëpo vendimi për suspendim duhet të konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e konformon vendimin për suspendim, atëherë qeveria mund të shkarkoj kryetarin përkatës të komunës që paraprakisht ka pasur akt mbi suspendimin. Mirëpo, nuk shoh arsye pse ata nuk do të japin vetë dorëhqejen: ata e kanë ditur që kjo është një zgjedhje e përkohshme dhe kanë pranuar të luajnë këtë rol që ka shijen e lojës fëmijërore.

Para disa ditësh ju së bashku me disa personalitete të tjera të Kosovës i kërkuat kryeministrit Albin Kurti që me urgjencë t’i rivendos marrëdhëniet me ShBA-të, pas kritikave të këtyre të fundit ndaj Kosovës për veprimet në Veri. A mendoni që Kurti i ka sjellur raportet me ShBA-të në pikën më ulët ndonjëherë, pas kritikave të ashpra të tyre?

Enver Hasani:Përkundër që shumëçka në ngjarjet e fundit ka pasur pëlqimin e miqëve tanë, Kurti ka shkuar pak larg duke i bërë dëm afatëgjatë raporteve tona me amerikanët dhe vendet tjera perëndimore. Lëndimi i këtyre marrëdhënieve në të ardhmën do të shprehet çdoherë në kohë krizash dhe që, nuk përjashtohet, qeveritë tjera me bazë fetare, që janë të pashmangshme në të ardhmen, kanë për ta përdorur si një precedent për t’iu kundërvënë perëndimit. Ky është dëmi më i madh që është bërë me veprimet e fundit të Kurtit.

Z. Hasani, ju keni kritikuar marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, veçanërisht pikën 7 ku flitet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. A mund të na tregoni se cilat janë rreziqet që paraqet kjo pikë, dhe a është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

Enver Hasani: Pika 7 që flet për vetëmenaxhim përplotëson dispozitat tjera të po asaj marrëveshjeje që bëjnë fjalë për batimin e të gjitha detyrimeve të Kosovës të marra në dialog që nga viti 2011. Këtu hyn edhe Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Vetëmenaxhimi është emër tjetër për autonominë personale (kulturore) të serbëve të Kosovës, kurse Bashkësia e komunave me shumicë serbe është infrastruktura institucionale e autonomisë territoriale serbe. Sforcimi i aspektit të vetëmenaxhimit nga ana e pushtetit bëhet për të mbuluar realitetin, që konsiston në themelimin e autonomisë territoriale serbe, ku vetëmenaxhimi realizohet në tërë territorin e Kosovës brenda infrastrukturës institucionale që e ofron Statuti i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe i nënshkruar në vitin 2013/2015, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën në disa nene të saj, dhe si i tillë nuk është implementuar. Mirëpo, duke pasur parasysh kontekstin aktual, pra presionin e madh ndaj Kosovës që ta themelojë këtë mekanizëm, madje janë ofruar disa modele evropiane, njëri nga ta është edhe autonomia e Tirolit Jugor në Itali; a mund të jetë kjo një zgjidhje e duhur dhe a e kalon testin e Kushtetueses një model i tillë?

Enver Hasani: Asnjë lloj i autonomisë, territoriale ose personale (kulturore), nuk ka bazë kushtetuese në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të themelohet me marrëveshje ndërkombëtare dhe akte të njëanshme juridike të shtetit dhe më pastaj të sanksionohet me kushtetutë nacionale. Kështu ka nodhur në rastin e Tirolit Jugor, ishujve Aland në Finlandë dhe në disa raste të tjera. Ajo çfarë dua të them është se themelimi i autonomisë së Kosovës sipas modelit italian të Tirolit të Jugut mund të ndodhë, sepse ai do të jetë modeli i autonomisë serbe në Kosovë, mirëpo jam thellësisht i bindur se nuk është zgjidhje e duhur dhe atë për dy arsye: e para, sepse qëllimi Serbisë nuk është mbrojtja e interesave të serbëve lokal, por përdorimi i tyre si instrument të nacionalizmit serb që ka për qëllim të fundit rikthimin e sovranitetit serb në Kosovë; dhe, e dyta, Bashkësia e komunave me shumcië serbe është një prej hapave të shumtë që nuk përfundojnë kurrë për desovranizimin e Kosovës deri në futjen e një bashkëqeverisjeje të Kosovës me Serbinë. E thënë me fjalë të tjera, themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbë nuk është fundi, por një fillim i ri në raportet tona me Serbinë, që na ofron më shumë afër Serbisë.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, por Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar ta bëj një gjë të tillë. Cili është komenti i juaj për këtë çështje, a duhet Kosova ta zbatojë?

Enver Hasani: Kosova kaherë është dashur ta zbatoj atë vendim dhe ta mbyll atë çështje. Sa më shumë të shtyhet, më shumë sovranitet territorial fiton Kisha Ortodokse Serbe. Zaten arsyeja kryesore pse Kisha Ortodokse Serbe me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit fiton një ekstraterritorialitet, ka të bëj pikërisht me sjelljen tonë të papërgjegjeshme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka të bëj me Manastirin e Deçanit. Ju rikujtoj se një dispozitë e ngjashme ka qenë edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit në kohën e presidentit Trump.