Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thirrur konferencë për media, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ua ulur pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, raporton Express.

Sipas njoftimit të KGJK’së, konferenca do të mbahet në orën 18:00.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve, sot më 23 nëntor 2022, me fillim nga ora 18:00, organizon Konferencë për Media në ndërtesën e Këshillit Gjyqësor, rruga “Luan Haradinaj”, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Kurti në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj të marrë në vitin 2017, duke kthyer pagat sikur para rritjes në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se vendimi ishte marrë paligjshëm dhe në konflikt-interesi në vitin 2017, nga qeveria e kaluar.

Në vitin 2020 qeveria Kurti kishte ulur pagën e kryeministrit, por jo edhe ato në sistemin e drejtësisë.

“Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh kryeministri.

“Marrë parasysh se ishte në Gjykatën Kushtetuese në procedurë trajtimi. Kushti i paraparë për përjashtim është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante. Me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm”, tha Kurti.