Qeveria shqiptare ndryshon ligjin dhe i ndan pension familjes së qytetarit të vrarë nga Policia

Largimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nuk ishte e vetmja masë e Qeverisë së Shqipërisë për shkak të vrasjes së qytetarit Klodian Rasha.

Nëpërmjet dy vendimeve të miratuara, më 11 dhjetor dhe të mbajtura të fshehta, Këshilli i Ministrave ka aprovuar për familjen Rasha, përkatësisht kryefamiljarin Qazim Rasha, një pension mujor prej 96 mijë lekësh (775 euro), njofton të hënën A2news.

Akti i parë i qeverisë është ai normativ, i cili ndryshoi ligjin për sigurimet shoqërore, ku parashikon shpërblimin për familjet që humbasin një pjesëtar aksidentalisht nga forcat ligjzbatuese.

“Familja, e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social”, thuhet në amandametin e ligjit përkatës.

Klodian Rasha u vra, orët e para të datës 8 dhjetor, nga një punonjës i Policisë së Shtetit, ngjarje kjo që ka shkaktuar indinjatë dhe protesta.

Protestat kanë vazhduar edhe sot në shumë qytete të Shqipërisë.