Punëtorët e “Postës së Serbisë”, të cilët prej javësh janë në grevë, sot organizuan protestë para Qendrës Qendrore Postare në Zemun. Ata janë njoftuar nga Qeveria e Serbisë, nëse deri në orën 22:00 nuk e përfundojnë grevën, do të angazhojnë “institucione që merren me sigurinë e shtetit”, kanë zbuluar postierët.

Punonjësit e postës janë informuar jozyrtarisht se qeveria planifikon të angazhojë institucione që merren me sigurinë e shtetit, nëse nuk e ndalin grevën, tha për Nova.rs, Stefan Mitroviq, njëri nga grevistët, transmeton Ballkani.info.

“Qeveria ka dhënë një ultimatum – ose do ta ndërpresim grevën deri në orën 22, ose do të angazhojnë, siç tha kryeministrja Ana Brnabiq, “institucione që merren me sigurinë e shtetit”. Nuk e dimë dhe as nuk na intereson se çfarë lidhje kanë sigurimi i shtetit dhe greva e punëtorëve. Ne 200 veta, sa ishim në protestën në Zemun, njëzëri vendosëm të mos dorëzohemi, e as kolegët tanë nga Novi Sadi dhe Zrenjanini”, thotë Mitroviq.

Ai e sheh këtë ultimatum si një formë frikësimi. Ai po ashtu thekson se është problematike që nuk kanë marrë njoftim zyrtar, por informacionin e kanë marrë nga gazetarët.

Kujtojmë se edhe pse Qeveria e Serbisë pretendon se pezullimi i punës në Postë përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes me sindikatat, postierët që janë në grevë më 24 tetor pohojnë të kundërtën. Ata thonë se përfaqësuesit e atyre sindikatave nuk kanë dalë asnjëherë në grevë dhe nuk janë dakord me atë që kanë nënshkruar. Ata pohojnë se do të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre, kryesore prej të cilave është rritja e pagave prej të paktën 30 për qind. /Ballkani.info/