Qeveria propozon kryetar të Bordit të Prokurimit Publik të akuzuarin për korrupsion (DOKUMENT)
Ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit në (QKUK) Osman Vishaj, njëherit edhe i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pritet të emërohet Kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Ballkani.info ka siguruar vendimin që Qeveria e Kosovës e ka marrë më 11 shtator të këtij viti, ku ky vendim pritet të propozohet në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, në nëntor të vitit 2011, ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Osman Vishajt, për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”.
Sipas Prokurorisë, Vishaj, në cilësi të menaxherit të Zyrës së Prokurimit në QKUK, në gusht të vitit 2007, pas përfundimit të procedurave të prokurimit për adaptimin e kulmit të Klinikës Infektive, në kundërshtim me ligjin, kompanisë fituese të tenderit, i ka shtuar shumën prej 15% në emër të TVSH-së.
Në këtë mënyrë, prokuroria pretendon se është dëmtuar fondi i QKUK-së, e atë në shumën prej 59.124 euro.
Mirëpo, më 31 korrik të vitit të kaluar, Osman Vishaj, ishe liruar nga akuza.
Gjatë leximit të aktgjykimit, gjyqtari Arben Hoti, tha se gjykata nuk ka gjetur elemente të veprës penale, andaj i pandehuri Vishaj është shpallur i pafajshëm duke u liruar nga përgjegjësia penale.
Kujtojmë po ashtu, se në mbledhjen e fundit të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, me 7 vota për, 1 abstenim dhe 1 kundër, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rekomanduar Osman Vishajn për kryetar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Kryesuesja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se në bazë bazë të dokumentacioneve dhe CV-ve që i është bashkangjitur materialit, shohim që i plotëson të gjitha kushtet formale të parapara.
Mbështetje për Vishajn premtoi edhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.
“Ne si PSD do ta mbështesim Osman Vishajn sepse e njohim. Qeveritë zakonisht bijnë militantë, por ajo që di është si Osmani është i përgatitur dhe ka integritet profesional të jashtëzakonshëm”, ka thënë Molliqaj në këtë mbledhje. /Ballkani.info/