Qeveria e Kosovës

Qeveria për draftin e publikuar nga Ramadani: E pamundur të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit dokument që qarkullon në publik

Një draft-statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i publikuar nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka ngjallur diskutimet mbi mundësinë që i njëjti të jetë propozimi i BE-së.

Qeveria e Kosovës nuk e ka mohuar e as pohuar nëse ky draft-statut është i njëjti me draftin e BE-së.  


Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, tha për RTV21 se si qeveri e kanë të pamundur të komentojnë mbi vërtetësinë e secilit dokument që  publikohet.

“Javëve dhe ditëve të fundit kanë qarkulluar në publik tekste të ndryshme të cilat janë raportuar si drafte të propozimit evropiano-amerikan. Si ekzekutiv e kemi të pamundur që të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit prej tyre. Megjithëse për sa na takon neve, drafti i propozuar nga Gjermania, Franca, Italia, BE dhe ShBA-ja tashmë do të duhej të ishte publik, ne do të respektojmë konfidencialitetin e tij,  sipas kërkesës së shteteve sponsorizuese”, tha Kryeziu.

Edhe Bashkimi Evropian ka refuzuar ta konfirmojë apo demantojë këtë draft-statut të Asociacionit.

Në dokumentin e publikuar nga Ramadani i cili pretendon se është drafti i BE-së,  thuhet se Asociacioni, i themeluar me këtë Statut, ofron një kornizë vetë-menaxhuese për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Korniza përfshin mbështetjen financiare nga Serbia dhe një kanal efektiv komunikimi të drejtpërdrejtë me Qeverinë e Kosovës.

Njohësi i Kushtetutës, profesori universitar, Mazllum Baraliu, vlerëson ky draft-statut i Asociacionit bie ndesh me kushtetutën dhe cenon sovranitetin e Kosovës.

“Nuk është zgjidhje, përkundrazi është më shumë se Asociacion, më shumë se autonomi territoriale e substanciale. Është shtet në shtet, strukturë morbide, kancerogjene e cila është paralelisht me Kushtetutën, jashtë kushtetutës dhe e cila cenon substancialisht edhe sovranitetin dhe përspektivën e tij”, tha Baraliu.

Në kohën kur vazhdimisht ka dokumente të publikuara që  referohen si drafte të statutit të Asociacionit të komunave me Shumicë serbe, drafti zyrtar i propozuar nga BE-ja vazhdon të mbahet i mbyllur për publikun.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se drafti i BE-së për asociacionin  është shumë më i mirë se ai i vitit 2013 apo 2015.