Qeveria obligoi gastronomet që të shërbejnë ujë, njohësi i ekonomisë: Do të jetë një goditje për bizneset

Kriza ekonomike në Kosovë e krijuar për shkak të krizës energjetike, naftës por edhe rritjes së çmimeve në shumicën absolute të artikujve, po e bënë jetën e qytetarëve vështirë të përballueshme.

Kjo krizë, ka bërë që qytetarët të shfaqen kritik por edhe me kërkesa të hedhura në drejtim të qeverisë, në mënyrë që kjo e fundit të marrë masa, përmes të cilave jeta e atyre që jetojnë në Kosovë të bëhet me lehtë, shkruan lajmi.net.

Përveç qytetarëve, janë edhe partitë opozitare ato që kanë kërkuar, por edhe i kanë propozuar qeverisë forma të ndryshme të ndërhyrjes në mënyrë që kriza ekonomike që ka kapluar Kosovën të minimizohet.

Është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ai që ka fajësuar qeverinë për neglizhencë dhe mosangazhim. Tahiri, ka kujtuar që kanë propozuar që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në produktet esenciale të zbritet nga 18 në 8 për qind por janë refuzuar nga Qeveria për këtë propozim.

“Ditët e sotit të cilët po i kalojnë qytetarët e Kosovës, kërkojnë ndërhyrjen dhe angazhimin direkt të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu ka qenë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ai që po ashtu ka kritikuar qeverinë. Ai ka thënë se gjatë kësaj krize ekonomike, qytetarët nuk po përkrahen nga qeveria.

“Qeveritarët mund të mos e ndjejnë këtë ngritje çmimesh sepse një pjesë e madhe e shpenzimeve këtu duke përfshirë tërësisht kostot e derivateve, i kanë të mbuluara nga vetë qytetarët, por, qytetarët nuk po përkrahen dot nga kjo Qeveri në këtë drejtim. Qytetarëve të Kosovës po u rritet kosto e jetesës në ushqim, në veshmbathje, në energji elektrike”, ka deklaruar Mustafa.

Në këtë vijë, përveç produkteve esenciale çmimet e të cilave kanë arritur kulmin, janë edhe çmimet në bizneset e gastronomisë ato që po ashtu janë rritur.

Rreth kësaj, qeveria e Kosovës pak ditë më parë morri vendim që lokalet e gastronomisë që furnizohen me ujë nga ujësjellësi publik të shërbejnë ujë nga çezma. Gjithashtu, objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Institutit i Shëndetësisë Publike dhe ta ekspozojnë atë në lokale.

Është Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ai që është deklaruar rreth këtij vendimi duke thënë se e gjitha kjo po bëhet që qytetarët të kenë ujë të shëndetshëm dhe të sigurt për pije.

“Me qëllim që të vendosim standardet normative të ujit për konsum njerëzor dhe në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njerëzve që uji të jetë i pastër dhe i shëndetshëm në objektet e gastronomisë: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohet nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t‘iu ndalojë qytetarëve që të furnizohen me ujë nga rubineti; në rastet kur objekti i gastronomisë nuk furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i lokalit duhet ta respektojë nenin 7 dhe 8 të udhëzimit administrativ 10/2021 për ujë të destinuar për konsum njerëzorë dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK dhe të njëjtën ta ekspozojë në lokal”, ka thënë Latifi.

Krahas gjithë kësaj problematike, lajmi.net, ka kontaktuar me njohësin e ekonomisë Safet Gerxhaliu.

Gërxhaliu tha se, sa i përket sfidave ekonomike në Kosovë ato po shtohen çdo ditë e me tepër dhe për këtë arsye, sipas njohësit, duhet të ketë dialog të mirëfilltë publiko-privat.

“Është e vërtetë që sfidat ekonomike në Kosovë janë vërtetë të shumta dhe çdo ditë e më tepër ato po shtohen. Në këtë drejtim besoj që po mungon një dialog i mirëfilltë publiko-privat. Në këtë drejtim shohim që ka vendime të ndryshme që vijën nga institucionet vendore por dua të besoj që në rend të parë duhet të kemi një dialog para se të mirën këto vendime”, tha ai.

Tutje, ai tha se Kosova ka probleme madhore dhe se, qeveria duhet të mundohet që t’i ndihmojë bizneset.

“Është e vërtetë që tani është aktualizua tema e ujit që duhet të shërbehen klientët për gastronomi, por besoj që Kosova ka probleme shumë më madhore. Në këtë drejtim duhet të mendohet që të ndihmohen bizneset që të lehtësohet jeta e qytetarëve dhe besoj tek atëherë mund të merremi me gjëra të tilla”, shtoi tutje njohësi.

Më tej, ai tha se bizneset e ujit, sipas tij do të goditen, sepse ata kanë bërë investime duke arritur një standardizim.

“Në rend të parë, do të jetë një goditje për bizneset, në rend të dytë është krijuar një traditë ku qytetarët të vendosin vetë se çfarë të pinë, ujë të ujësjellësit apo të blerë. Por sidoqoftë është një momentum i cili vërtetë, besoj që do të ketë efekte duale. Por e di që bizneset nuk do ta ndjenjë veten mirë, në veçanti prodhuesit e ujit në Kosovë të cilit kanë bërë investime, të cilët kanë arrit një standardizim dhe me një akt të tillë do të jenë të goditur. Por unë prapë është në zgjedhjen e qytetarëve dhe klientëve se çfarë ujë do të pinë”, përfundoi Gërxhaliu.

Krahas rritjes së çmimeve dhe kërkesave për ndërhyrje të qeverisë në çështjen e krizës, është edhe çështja e tërheqjes së një pjesë të parave nga Trusti, ajo që po ashtu është aktuale si temë.

Edhe pse nuk morri përkrahje nga pozita në kuvend, Trusti është bërë përsëri temë aktuale. Kjo pasi që për 8 ditë një grup i qytetarëve të Kosovës kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për lejimin e tërheqjes së 30% të Trustit.

E kjo iniciativë mendohet që mund të procedohet në kuvend para pushimit vjetor, edhe pse njëherë janë procedurat teknike, skanimi i nënshkrimeve dhe më pastaj procedimi i tyre në Kuvend.