Qeveria nis procedurat për blerjen e ambasadave në Kroaci e Senegal, Gërvalla tregon pse u zgjodhën këto vende

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objekteve të Ambasadave të Kosovës në Zagreb të Kroacisë dhe Dakar të Senegalit, për nevoja të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka treguar edhe arsyet pse janë zgjedhur këto vende.

“Një arsyetim i vogël pse kemi zgjedhur Senegalin, lidhet me disa aspekte teknike. Ne mund të kishim bërë kërkesë edhe për ambasada tjera, mirëpo sipas fjalës popullore, “shtrijë këmbët sa e ke jorganin”. Buxheti i këtij viti, këtë shumë na e lejonte, prandaj jemi përcaktuar për Kroacinë dhe Senegalin dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me blerjen e objekteve të ndryshme”, ka deklaruar Gërvalla.

Pas fjalës së Gërvallës, Kryeministri Albin Kurti e ka hedhur në votim këtë propozim, i cili është miratuar pa asnjë votë kundër apo abstenim./Express/