Asociacioni

“Qeveria me draft-statut për Asociacionin” – çfarë tha zëvendësja e Kurtit një muaj më parë dhe çfarë sot Konjufca

Perëndimi është duke pritur nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë drarft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim. Për këtë javën që shkoi bëri thirrje ambasadori i SHBA’së Jeff Hovenier ndërkohë që të tilla nuk mungojnë as nga Uashingtoni direkt e as nga Bashkimi Evropian. Por, nga pala kosovare po shkojnë sinjale të ndryshme.

Rrafsh një muaj më parë Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi në një intervistë për Zërin e Amerikës kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës do të shkruaj një draftstatut pasi Gjykata Kushtetuese ta thotë vlerësimin e saj për propozimin evropian që është dorëzuar në Prishtinë.

Sipas Rexhepit, statuti i propozuar nga Bashkimi Europian u jep serbëve “shumë të drejta” dhe se nëse do të themelohej një Asociacion sipas atij propozimi, do të dëmtonte shtetin. Por, ajo tha se do ta presin vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë Serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë. Ne si qeveri kemi qëndrimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos bëjmë asgjë që shkon në dëm të shtetit tonë”.

Më tej ajo kishte paralajmëruar se Qeveria do ta shkruajë draft-statutin e vet pas vlerësimit të Kushtetueses duke lënë të kuptohet se dokumenti megjithatë do të shkojë në Gjykatë.

“Ne kemi bashkëpunim dhe kemi bisedime të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe rruga drejt BE-së është diçka që për ne ofron përparim dhe përspektivë dhe ne nuk do të heqim dorë nga ajo. Qeveria jonë padyshim do të mbështetet në Gjykatën Kushtetuese, do të presim qëndrimin e saj dhe më pas do ta marrim çështjen në duart tona dhe do të hartojmë një statut të ri për Asociacionin”, tha ajo.

Por, kryeparlamentari Glauk Konjufca javën që shkoi tha se BE s’ka kompetencë të bëjë propozime të tilla. Ndërsa sot theksoi se drafti i BE’së nuk do t’i dërgohet Gjykatës për vlerësim.

Konjufca tha se Qeveria e Kosovës mund ta propozojë një draft të saj të statutit të Asociacionit në një kohë të caktuar dhe se propozimi do të merrte pjesë të draftit të propozuar nga BE-ja.

Sipas tij, Qeveria do të dalë me propozimin e saj kur të vijë koha. Konjufca hedh poshtë pohimet se Kosova e ka pranuar draft -statutin e Asociacionit duke thënë se me “pranim” nënkuptohet vetëm me “marrja në duar e dokumentit”.

“Qeveria në momentin që do t’i vjen koha do ta propozojë vet një draft dhe do të marr pjesë edhe nga ky draft, pra nuk është refuzim, Jo nuk mendoj se një draft i tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sipas marrëveshjes së 2013 kjo çështje është komplet e brendshme e Kosovës edhe vet Lajçak tha se nuk është fare çështje negociatash ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe është vetëm një obligim ndërkombëtar që do të thotë të zbatohet kur t’i vijë koha në këtë rast sipas qeverisë kur të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit. Jo, e ka pranu do të thotë e ka marrë në dorë, por jo me zbatu i vjen që e kemi pranu e kemi marrë, na e kanë sjellë”, tha Konjufca.

VIDEO BONUS: Konjfuca: Qeveria mund ta propozojë një darftstatut të Asociacionit