Qeveria Kurti provon të hedh “hi syve”, e fsheh dokumentin e marrëveshjes ku figuron “Zajednica”

Qeveria Kurti në njoftimin nga takimi i djeshëm në Bruksel ndërmjet delegacionit kosovar dhe atij serb, ka harruar ta prezantojë dokumentin më të rëndësishëm – atë të marrëveshjes së propozimit evropian, ku në qendër është edhe “Zajednica”.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, shkruan Demokracia.com.

Në njoftim, po ashtu, askund nuk përmendet që themelimi i “Zajednicës” përfshihet në pikën e 10-të të marrëveshjes.

“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri Kurti pas takimit ka njoftuar se propozimi evropian, për të cilën janë zotuar dy palët, përfshin edhe themelimin e “Zajednicës”.

“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë”, deklaroi ai para mediave.

Qeveria shkurtazi në fund ka njoftuar se teksti i plotë i marrëveshjes gjendet në faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, pa ndonjë link përcjellës.