Qeveria Kurti premton që për dy vite do t’i bëjë qytetarët me sigurime shëndetësore

Nga qeveria “Kurti” është thënë se për dy vjet do të zbatohen sigurimet shëndetësore në vend. Për implementimin e tyre Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani,

Ndonëse ka qenë premtim i çdo ministri të deritashëm të shëndetësisë në vend, qytetarët edhe 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë vazhdojnë të mos i kenë sigurimet shëndetësore. Realizimi i sigurimeve kishte qenë premtim i katër ministrave të kaluar të Shëndetësisë, i ish-ministrit Alush Gashi, Ferid Aganit, Imet Rrahmanit e i Uran Ismaili, por në mandatin e asnjërit nuk u zbatuan ato.

Premtimi i fundit për sigurimet shëndetësore vjen nga qeveria “Kurti”, e cila parasheh që më së fundi deri në vitin 2022 t’i funksionalizojë ato.

Tashmë për implementimin e sigurimeve Kosova ka marrë përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani. Zyra për informim e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë për “Zërin” se Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë, shkruan tutje “Zëri”.

Kujtojmë se rreth 10 milionë euro kishte ndarë qeveria e Luksemburgut për ta vënë në funksion sistemin informativ shëndetësor në Kosovë, megjithatë sipas një raporti të Auditorit, 417 mijë euro të këtij projekti kanë shkuar diku tjetër. Zyra e Auditorit para dy vjetëve gjatë auditimit kishte konstatuar mangësi në kontrollin financiar dhe në menaxhimin e kontratave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë realizimit të tyre.