Qeveria Kurti pa asnjë projekt të madh, një “gotë me ujë” vendimi i ri

Qeveria Kurti sot ka miratuar një rregullore që i obligon lokalet e gastronomisë që t’u shërbejnë me ujë të rubinetit (çezmës), klientëve.

Derisa qeveritë e kaluara merreshin me projekte të mëdha, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po i shtynë ditët duke u “arnuar” me vendime “fasadë” e shpeshherë edhe komike.

Kryeministri Kurti pothuajse në çdo paraqitje i përmend qeverisjet e kaluara, që sipas tij dhe partisë së tij e kanë “shkatërruar” Kosovën për 20 vjet. Por, prej ardhjes në pushtet askush nuk mund ta përmend asnjë projekt të madh të tij që është realizuar, shkruan Demokracia.com.

Nga investimet e mëhershme miliardëshe, qeveria aktuale ka nisur të ndërhyjë në veprimtarinë e bizneseve, konkretisht në ato të gastronomisë, duke mos përfillur parimet e ekonomisë së tregut të lirë.

Qeveritë e kaluara përveç rrugëve lokale, kanë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe të Evropës, duke e bërë vendin tonë me infrastrukturën rrugore më të mirë në Ballkanin Perëndimor.

Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave. Kurse, ka një vit që Kurti i ka bllokuar të gjitha investimet, duke bërë kështu që paratë të mos vihen në qarkullim për të mbajtur e krijuar vende të punës.

Autostradat e ndërtuara nga qeveritë e kaluara që lidhin Prishtinën me Tiranën e Shkupin, ua mundësojnë qytetarëve që për pak orë të jenë në kryeqytetet e vendeve të rajonit dhe ta pinë “kafenë me ujë”.

Autostrada e parë e ndërtuar është ajo “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Ndryshe, infrastruktura rrugore në fshatra e qytete ka qenë top-prioritet i të gjitha qeverive të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Në gjithë territorin e Kosovës janë rreth 2045 kilometra rrugë, prej të cilave 95 për qind janë të asfaltuara. Vetëm nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, sipas të dhënave zyrtare, janë shtruar rreth 500 kilometra rrugë, shkruan Demokracia.com.

Nga këto 500 kilometra, rrugë nacionale dhe rajonale të asfaltuara që nga viti 2008 deri më 2017 janë 287.2 kilometra.

Vetëm për tetë vjet janë ndërtuar 115 kilometra autostradë, pa e llogaritur autostradën “Arbën Xhaferi”.

Veç modernizimit të autostradave, qeveritë e kaluara kanë investuar shumë edhe në ndërtimin e shkollave, modernizimin e rrjetit të energjisë, ujësjellësit e spitaleve.

Kosova më nuk vuan sikurse në të kaluarën nga mungesa e ujit të pijes dhe reduktimet e rrymës. Rryma rinisi të ndalej në fund të vitit të kaluar, nën qeverisjen e Kurtit.

Qytetarët e Kosovës kanë probleme më të mëdha sesa një “gotë me ujë” në lokal. Një vendim i tillë po cilësohet madje edhe si ndërhyrje direkte te bizneset dhe si precedent i rrezikshëm me tendencë drejt një ekonomie të dirigjuar.

Kosovarët po përballen me krizë të rëndë ekonomike, si rritja drastike e çmimeve të artikujve bazë ushqimorë, të energjisë e të derivateve të naftës.

Pikërisht deputetët e Kurtit javën që shkoi nuk votuan për heqjen e akcizës për tre muaj, ashtu siç propozoi opozita kosovare. Ata nuk votuan as për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti Pensional. /Demokracia.com/