Qeveria Kurti harron zotimin për padi ndaj Serbisë: Avokatët kërkojnë që sa më shpejt të përgatitet, vonesat i quajnë dështim

Institucionet vendëse duhet sa më shpejtë ta përgatisin padinë ndaj Serbisë për gjenocid, vlerësojnë avokatët në Kosovë.

Sipas tyre, Kosova ka mjaftueshëm dëshmi që një gjë e tillë të arrihet. Krahas kësaj, ata kërkojnë që Kosova të jetë e përgatitur në këtë drejtim, në të kundërtën, fiton Serbia politikisht.

Avokati i njohur, Musa Damati, përmend padinë që Polonia i ka bërë Gjermanisë për dëmet që kjo e fundit i ka shkaktuar gjatë luftës së dytë botërore.

Damati e konsideron si dështim të politikës mos padinë ndaj Serbisë.

“Republika e Kosovës realisht është vonuar shumë në procedurat ligjore në aspektin ndërkombëtar. Paramendoni pas luftës së dytë botërore, së fundmi Polonia ka filluar të kërkojë kompensim nga Gjermania për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar gjatë luftës së dytë botërore, pra Republika e Kosovës ka dështuar në ndjekjen e këtyre procedurave, me udhëheqje në të cilën i ka pasur në të kaluarën, nuk është se ka arritur ndonjë progres në këtë fazë, prandaj është koha e fundit që t’i qasen punës seriozisht në mënyrë që të kërkojë përgjegjësi dhe llogari për të cilat dëme që janë shkaktuar, si materiale e si materiale”, u shpreh Damati për Ekonomia Online.

Damati ka treguar edhe rrugët ligjore që duhet t’i ndërmarrë Kosova për ta përgatitur padinë.

“Fillimisht duhet të krijohen ekipet e saja të punës të cilat duhet të bëjnë mbledhje profesionale me mbledhjen e të gjitha provave dhe dëshmive të cilat ekzistojnë, për shkak se në rast se një padi e tillë nuk do të arrinte të triumfonte në aspektin juridik, e keni parasysh se pozita jonë në këtë kontekst vetëm sa do të dobësohej dhe do të fitonte pala kundërshtare, prandaj edhe puna fillestare duhet të bëhet me shumë seriozitet”, tha ai, teksa tha se ekzistojnë shumë prova e dëshmitarë për ta paditur Kosovën”, u shpreh Damati.

Ndërsa avokati tjetër, Tomë Gashi, thotë se si përfaqësues i familjeve të Reçakut, ka arritur ta padisë një serb, por që në rrethana të atëhershme, dënimi iu ishte shqiptuar vetëm 15 vite burg.

“Unë kam qenë përfaqësues i familjeve të Reçakut dhe unë i kam i përfaqësuar faktikisht ata, dhe e kam akuzuar një polic, apo thënë se polici i vetëm i cili është dënuar për masakrën e Reçakut ka qenë Zoran Stanojeviq, dhe meqenëse është hequr dënimi me vdekje, atij për vrasje dhe tentimvrasje nuk iu është shqiptuar dënimi me vdekje e as ndonjë dënim tjetër sepse ka qenë një zbrazëtirë juridike, dhe është dënuar me 15 vite burg”, u shpreh Gashi, i cili kërkon që institucionet të mos vonohen në përgatitjen e padisë ndaj Serbisë.