Qeveria

Qeveria kritikohet për shpenzim jo të duhur të kontigjencave

Janë kategori e shpenzimeve që përdoren në formë të rezervave atëherë kur vendi mund të përballohet me ngjarje të papritura.

Por, Qeveria e Kosovës e ka përdorur kategorinë e kontigjencave edhe për qëllime të tjera.

Sipas një raporti të GAP-it, fondet kontigjente janë përdorur edhe për të mbuluar pagat e shërbyesve civil, renovime e rehabilitim të rrugëve.

Shuma e cila u përdor për të njëjtat dhe shumëçka tjetër në vitin 2023, arrin shumën prej 168 milionë eurosh.

Ndonëse një veprim i tillë sipas institutit GAP është bërë me qëllim të rritjes së transparencës në shpenzimin e këtyre mjeteve, në kuadër të marrëveshjes së qeverisë me FMN, ekonomistët thonë se një veprim i tillë vetëm transparencë nuk tregon.

“Aty ku mungon transparenca, gjithmonë ndodhin evente të tilla. Shumë më e rrugës do kishte qenë që këto mjete të jenë të arsyetuara për qytetarët apo ndoshta do kishin pas arsyetim për tu shpenzuar në projekte që gjenerojnë prodhim, qoftë punësim, qoftë ulje të kosotove por definitivisht është habi sepse viti 2023 ka qenë vit ku në buxhetin e Kosovës ka pasur para të pashfrytëzuara”, ka thënë, Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

E të një zëri shprehen edhe ekonomist të tjerë.

“Këto fonde nuk do duhej shpenzuar, do duhej të rriteshin e do duhej ruajtur për situata të paparashikueshme dhe ligje që kanë nevojë për sponsorizim. Do duhej përdorur për situata emergjente dhe për shpenzime të atyre situatave, jo për paga e mëditje. Ani pse është rekomanduar nga FNM do ishte mirë që ministria e caktuar ta arsyetoj këtë veprim, me një arsyetim bindës për opinionin”, ka thënë Jakup Bellaqa, ekonomist.

Televizioni është përpjekur të kontaktojë edhe me Qeverinë e Kosovës e Ministrinë e Financave lidhur me formën e shpenzimit të kësaj kategorie, por nga të njëjtit nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas raportit të GAP-it, në ekzekutimin e pagave në dhjetor të vitit të kaluar janë shpenzuar mbi 14 milionë euro, ndërsa për dy muajt paraprak, mbi 40 milionë.

Për subvencione dhe transfere mbi 89 milionë euro ndërsa për shpenzime kapitale, mbi 13 milionë.