Qeveria

Qeveria kritikohet për injorim të pyetjeve parlamentare: Kabineti qeveritar po i tejkalon kompetencat

Qeveria e Kosovës po e vazhdon praktiken e çuditshme të injorimit të pyetjeve parlamentare që vijnë nga deputetët e PDK-së.

Vetëm gjatë seancës të së enjtes, disa deputetë të partisë më të madhe opozitës nuk kanë marrë përgjigje në pyetjet e tyre nga kryeministri Albin Kurti dhe disa ministra.

Këta të fundit, në kundërshtim të çfarëdo rregulle parlamentare, kanë kushtëzuar përgjigjet e tyre me votimin e marrëveshjeve opozitare nga këta deputetë.

Monitoruesit e punës së Kuvendit po habiten me këtë praktikë të qeverisë.

Arbër Thaçi nga KDI ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë mënyrë Qeveria po tejkalon kompetencat e saj.

Ai ka thënë se anëtaret e kabinetit qeveritar e kanë obligim të përgjigjen në pyetjet e deputetëve.

“Përgjithshëm, kjo praktikë paraqet një shembull të tejkalim të kompetencave të anëtarëve të ekzekutivit. Pyetja parlamentare përkufizohet si një prej instrumenteve kryesore të mbikëqyrjes dhe ofrimi i përgjigjeve për pyetjet e deputetëve përcaktohet si një detyrim nga funksioni që ata bartin. Në asnjë situatë, refuzimi për tu përgjigjur pyetjeve parlamentare nuk mund të aplikohet si mjet politik, kundrejt ndofarë mosmarrëveshje politike”, ka thënë ai, duke ia kujtuar qeverinë Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Madje, Rregullorja ekzistuese shpjegon mungesën e paarsyeshme të ministrave në seancën ku ka pyetje parlamentare, si rrethanë ku duhet t’i tërhiqet vërejta publike nga kryesuesi. Kësisoj, ndaras kritikës në drejtim të ekzekutivit, në këtë kontekst duhet të kritikohet edhe pozicioni neutral i heshtjes së Kryetarit të Kuvendit. Porse, një veprim i tillë duhet të kritikohet edhe nga pikëpamja e përpjekjes për ndërhyrje në vullnetin e deputetëve. Deputetët, mund të kritikohen për mungesën e trajtimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në një kohë më të përshtatshme, mirëpo jo për votimin e tyre. Thirrja për votim të tyre, në një pako të plotë, pa asnjë shqyrtim përmbajtësor apo ideologjik, paraqet ndërhyrje në mandatin e deputetëve. Deputetët, nga funksioni i tyre iu obligohet trajtimi i tyre, kurrsesi votimi”, ka thënë Thaçi.

Çka ndodhi në seancë?

Në seancën e së enjtes, disa deputetë të PDK-së kanë shtruar pyetje për kryeministrin dhe ministrat, por nuk kanë marrë përgjigje.

Njëra nga ta ishte deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo bëri me dije se kryeministri Albin Kuri nuk po i përgjigjet në pyetje prej majit të viti të kaluar.

“Pyetjet që unë ja kam adresua kryeministrit datojnë që nga data 22 maj i vitit 2023. Pra, është për keqardhje se që nga maj kryeministri nuk ka kohë që të vije dhe të jep llogari për pyetjet që unë ia kam adresuar. Në këtë kuvend ka shumë deputetë të cilët kanë adresuar pyetje dhe ende nuk vjen radhe”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kolegët e saj kishin pyetje për ministrat që ishin në sallë, por edhe ata injoruan pyetjet e tyre.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ai ka thënë se nuk mund të përgjigjet para se kjo parti t`i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

“Kërkesa e jonë vazhdon si Qeveri që ju si grup parlamentar t`i votoni këto marrëveshje ndërkombëtarë”, ka thënë Murati, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjen e deputetes.

Njëjtë ka vepruar edhe Ministri i Infrastrukturës, Luburin Ali, në pyetjen e deputetit të PDK-së, Isak Shabani.

“Deputet, pavarësisht se është bërë pranimi teknik atje, për përgjigjen e plotë do të duhej t`i votoni marrëveshjet”, ka thënë ministri Aliu.

Ministri Aliu nuk është përgjigjur as në pyetjet e deputetit tjetër të PDK-së, Rashit Qalaj.

Në verë të vitit të kaluar, PDK-ja ka marrë qëndrimin politik që të mos e votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë apo projektligj që vije në Kuvend nga Qeveria Kurti. Në shenjë hakmarrje politike, kryeministri Albin Kurti, në tetor të vitit të kaluar, ka bërë me dije se ai dhe anëtarët e kabinetit qeveritar nuk do të përgjigjen në pyetjet e deputetëve që nuk votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

VIDEO BONUS: Limaj: Kuvendi cirk me njerëz të padijshëm – Koalicioni me AAK-në derë e hapur për qytetarët