Qeveria Hoti suspendon drejtorin e ATK’së, tre ditë pasi që u rikthye në punë

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj është suspenduar nga kjo pozitë.

Suspendimi i tij erdhi tre ditë pasi që u rikthye në pozitën e drejtorit.

Ministres së Financave Hykmete Bajramit, i është aprovuar pas 12 ditësh kërkesa për hapjen e një hetimi disiplinor ndaj drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj.

Si rrjedhojë e inicimit të procedurës disiplinore, Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë e ka pezulluar sot Murtezajn nga pozita e shefit të Administratës Tatimore.

Suspendimi i Murtezajt është bërë me qëllim të mbrojtjes së hetimit dhe parandalimit të pengimit në hetim “apo të cenimit në ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij”, thuhet në vendimin e këshillit, të cilin e kryeson Agim Veliu, ministri i Punëve të Brendshme.

Kësisoj, Këshilli për Vlerësim ka bërë të ditur se pezullimi i Murtezajt do të zgjasë deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar ndaj tij.

“Këshilli për Disiplinë prima facie vlerësoj kërkesën dhe provat e lëndës që mbështesin pretendimet e kërkesës dhe vendosi të Aprovoj Kërkesën Nr. Prot. 2367 të datës 31.12.2020, të Ministres së Financave znj. Hykmete Bajrami per inicimin e procedurës disiplinore kundër z. Ilir Murtezaj, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës dhe të njëjtin ta pezulloj nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës deri në një Vendim tjetër”, thuhet në vendimin e KShVD-së.

Murtezaj gjatë vitit të kaluar ishte shkarkuar nga kryeministri Hoti, por që u kthye në vendin e punës pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte konstatuar shkelje në mënyrën e shkarkimit të tij.

Murtezaj ishte kthyer në vendin e punës pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte konstatuar shkelje në mënyrën e shkarkimit të tij.

Në vendimin e asokohshëm të qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët në udhëheqje të institucionit.