Qeveria e Kurtit me 15 ministri 135 këshilltarë, Qeveria Haradinaj me 21 ministri 126 këshilltarë!

Vetëm shtatë këshilltarë më pak sesa kabineti i Ramush Haradinajt mund të ketë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ekzekutivi i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e i cili në total kishte 5 zv.kryeministra e 21 ministra, ka pasur gjithsej 206 këshilltarë.

Kurse ai i udhëhequr nga Albin Kurti, me 3 zv.kryeministra e 6 ministri më pak se e Haradinajt, mund të emërojë deri në 199 këshilltarë.

Kryeministri Ramush Haradinaj – 35 këshilltarë

5 Zv.kryeministrat e Haradinajt – 45 këshilltarë

21 Ministrat – 126 këshilltarë

TOTAL 206 këshilltarë gjithsej

Kryeministri Albin Kurti – 34 këshilltarë

2 Zv.kryeministrat e Kurtit – 30 këshilltarë

15 ministrat – 135 këshilltarë

TOTAL: – 199 këshilltarë gjithsej

E gjithë kjo edhe pas premtimeve të kryeministrit Kurti për zvogëlimin e stafit të Ekzekutivit, e kritikave të shumta drejtuar Haradinajt për numër të madh të këshilltarëve.

Zvogëlimi i numrit të ministrive, nga 21 sa ishin në 15, bëri që kabineti nën drejtimin e Albin Kurtit të ndryshojë rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive.

Por në bazë të saj, numri i këshilltarëve edhe në Qeverinë Kurti mbetet pothuajse i pandryshuar.

Rregullorja e shfuqizuar nga Qeveria e Kurtit parashihte që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë, duke shtuar këtu edhe nëntë të tjerë nga radhët e komuniteteve, përfshirë atë malazez dhe kroat, që zyrtarisht nuk njihen si komunitete.

Mirëpo, edhe me rregulloren e re Kurti mund të emërojë po aq këshilltarë sa kishte Haradinaj.

Dy zëvendësit e Kurtit, Avdullah Hoti e Haki Abazi, mund të emërojnë deri në dhjetë këshilltarë politikë, dhe 5 këshilltarë të tjerë të jashtëm.

Kurse 15 ministrat e kabinetit të udhëhequr nga Kurti mund të kenë deri në 6 këshilltarë politikë dhe 3 te tjerë të jashtëm.

Mosndryshimi i numrit të këshilltarëve politikë në rregulloren e re është kritikuar edhe nga shoqëria civile.

Në anën tjetër, Kurti ka mohuar se vartësit e tij do të kenë numrin e këshilltarëve të përcaktuar në rregullore.